Pse Ali Ahmeti takohet me Mickovskin e VMRO-së, kurse Zaev me Kasamin dhe Gashin?

Lëvizje tektonike, apo kurtoazi politike? Si mund të interpretohen zhvillimet dhe takimet e fundit në skenën politike të Maqedonisë është dilema e madhe që po e mundon opinionin. Kryeministri Zoran Zaev dje takoi Afrim Gashin, kurse kryetari i BDI-së Ali Ahmeti të shtunën takohet me kryetarin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.

Zyrtarisht, bëhet fjalë për takime protokollare. Mirëpo ata që i njohin pak rrethanat politike, e kanë të qartë se protokolli është “sebepi” i fundit për këto takime.

Pse Ahmeti takohet me Mickovskin pikërisht në kohën kur VMRO radikalizon sërish politikën ndaj shqiptarëve edhe pse në kongres kërkoi falje për këtë politikë? Si do të reagonte BDI dhe makineria e saj propagandistike nëse një takim të tillë me Mickovskin do ta realizonte Zijadin Sela, Afrim Gashi, Menduh Thaçi ose Bilall Kasami. Kjo makineri edhe fotografimet e rastësishme të deputetëve të partive opozitare shqiptare në grup me ndonjë deputet të VMRO-së në vizita zyrtare jashtë shteti i interpreton si dëshmi për “bashkëpunim të fshehtë” të tyre me VMRO-në, kurse takimin e Ahmetit me Mickovskin mundohet të na e shesë si protokoll. Nuk pinë ujë këto fore te shqiptarët. Prandaj, si duket opinioni menjëherë e ka kuptuar takimin Ahmeti-Mickovski si “selam” për Zaevin se BDI mund të bëjë prapë qeveri me VMRO-DPMNE-në. Të njëjtin kuptim kanë edhe raportet e zbutura të BDI-së me “presidentin jolegjitim”, Gjorge Ivanov.

Prej këtu, duket se është e qartë që takimi i djeshëm i Zaevit me Gashin është një lëvizje taktike e kryeministrit dhe përgjigje e tij ndaj “selameve” të Ahmetit nga distanca se mund të bëjë qeveri të re me VMRO-në. Njësoj mund të kuptohen edhe paralajmërimet jozyrtare prej LSDM-së se Zaev është i gatshëm të rifillojë negociata me Selën, por edhe raportet vazhdimisht të afërta që mban me Thaçin dhe Kasamin.

Loading...