Putin: Përmirësimi i marrëdhënieve Rusi-Turqi është meritë personale e Erdoganit

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka biseduar të mërkurën me homologun e tij rus, Vladimir Putin, për zonat e ndikimit në Siri.

Ky ka qenë takimi i parë i Kremlinit në çështjet rreth Sirisë, prej kur presidenti amerikan, Donald Trump ka njoftuar për tërheqjen e trupave amerikane nga vendi i shkatërruar nga lufta më 19 dhjetor të vitit të kaluar.

Në fillim të mbledhjes në mjediset e Kremlinit, Vladimir Putin e priti homologun e tij turk duke e thërritur “miku im”, para se të theksonte se “do të analizonin çështjen e sigurisë rajonale dhe se do të bashkëpunonin vazhdimisht mbi Sirinë”.

Presidenti rus Vladimir Putin vlerësoi se përmirësimi i marrëdhënieve midis Rusisë dhe Turqisë është një meritë personale e homologut të tij turk, Rexhep Tajip Erdogan, i cili sipas tij investon shumë punë dhe energji për përmirësimin e vazhdueshëm të marëdhënjeve mes dy shteteve.

Recep Tajip Erdogan e përshëndeti gjithashtu me ngrohtësi shefin e shtetit rus dhe solidaritetin që ka sjellë rezultate të konsiderueshme në çështjet e sigurisë.

Rusia dhe Irani i kanë ndihmuar presidentit sirian, Bashar al-Assad për të fituar kontrollin e pjesës më të madhe të shtetit, derisa Turqia ka përkrahur armiqtë e Assadit për gati tetë vjet.

Pavarësisht asaj, të trija shtetet kanë tentuar të arrijnë një marrëveshje të paqes për Sirinë, me synimin e uljes së ndikimit amerikan në rajon.

Në shtator të vitit të kaluar, Putin dhe Erdogan kanë nënshkruar një marrëveshje për rajonin sirian, Idlibin, duke mënjanuar atë që është cilësuar si katastrofë humanitare, pasi ka pasur paralajmërime për ndërhyrje ushtarake atje.

Turqia është duke bërë thirrje për zbatim të atij pakti, pasi ka shprehur shqetësime se Qeveria siriane është duke tentuar të shkatërrojë marrëveshjen.