Qafë Thanë, 9 të arrestuar për kontrabandë; 5 punonjës të doganës

Plot 9 shtetas kanë përfunduar me pranga në duar, pas një operacioni policor të udhëhequr nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme, 5 prej të cilëve punonjës në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës, të akuzuar për shpërdorim detyre.

Arrestimi i tyre u bë pasi, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë bërë të mundur futjen kontrabandë të një kamioni me rreth 2.100 goma të përdoruara, nëpërmjet doganës së Qafë Thanës, të ngarkuara në një mjet tip kamion, me drejtues shtetasin Stojmir Treneski, i cili po ashtu u ndalua mbrëmjen e së premtes nga shërbimet e policisë në aksin rrugor Pogradec-Maliq, pranë fshatit Sovjan.

Pikërisht në këtë fshat, ai po tentonte të shkarkonte mallin e kontrabanduar, në magazinën e shtetasit Petraq Dimko.
Në përfundim të operacionit janë arrestuar Stefan Hila, 50 vjeç, Anesti Tushinka, 40 vjeç, Ilir Spahiu, 44 vjeç, që të gjithë nga Pogradeci, si dhe Lefter Duraj, 64 vjeç, e Mikel Goxharaj, 41 vjeç, këta me banim në Tiranë, të gjithë këta me detyra funksionale në pikëkalimin kufitar të Qafë Thanës.

Gjithashtu u arrestuan edhe Kelti Ristani, 42 vjeç nga Pogradeci, me detyrë agjent doganor i një kompanie me seli në degën doganore të Qafë Thanës, si dhe Edmond Kodra, 61 vjeç nga Sovjani i Korçës si zotëruesi i gomave; Stojmir Treneski, 42 vjeç nga Ohri, si shofer i kamionit; dhe Petraq Dimko, 54 vjeç, si zotëruesi i ambientit të magazinimit të mallit kontrabandë.

Gjithsej u sekuestruan 2.100 goma të përdorura.
Hetimet thuhet se do të vijojnë për të dokumentuar të gjithë veprimtarinë, edhe të personave të tjerë që mund të jenë të implikuar në këtë linjë kontrabandimi.