Qeveria beson se raportimet e zv.ministrave do të shkojnë duke u përmirësuar

Pjesë të raportit të zëvendësministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Shukri Maxhuni, u bënë pjesë e debatit publik gjatë kësaj jave.

Përveç relacionit Lopë – Fermer, që sipas zëvendësministrit Maxhuni, çojnë në zhvillimin e shtetit, edhe titujt akademikë të tij u komentuan gjerë e gjatë në rrjete sociale.

KTV-ja ka kontaktuar me zëvendësministrin Shukri Maxhuni, i cili fillimisht ka pranuar të intervistohet dhe të flasë për përmbajtjen e raportit të tij, që i ka shkuar kryeministrit Ramush Haradinaj. Por të nesërmen, zëvendësministri Maxhuni e ka anuluar takimin.

Në Qeverinë e Kosovës e shohin si pozitiv debatin që i ka rrethuar zëvendësministrat e shumtë por edhe punën e tyre.

Koordinatori Nacional për Reforma Shtetërore thotë se një gjë e tillë do të ndikojë në përmirësimin e punës së tyre në të ardhmen.

Besnik Tahiri ka bërë të ditur se zëvendësministrat do të vlerësohen për punën e tyre rreth muajit nëntor.

Përndryshe, Tahiri ka folur edhe për Ligjin për Qeverinë, që pritet të përcaktojë mes tjerash numrin e ministrive dhe zëvendësministrave, për të cilin tha se brenda këtij viti do të marrë miratimin e qeverisë.

E derisa potencialisht të miratohet Ligji për Qeverinë, raportet e zëvendësministrave po dalin të jenë mjaft argëtuese.

Njëri prej tyre, siç e ka publikuar Agron Demi nga Instituti GAP, në dy fjali ka arritur të bëjë një lidhje mes dhurimit të gjakut dhe akcizës në propan, butan dhe gaz.