Qytetarët në referendum deklarohen për anëtarësim në NATO dhe BE dhe Marrëveshjen me Greqinë

Në Maqedoni sot mbahet referendum në nivel shtetëror në të cilin votuesit duhet të deklarohen në pyetjen “A jeni për anëtarësim në BE dhe në NATO, me pranimin e marrëveshjes së Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë” me rrumbullakimin “për” apo “kundër”.

Të drejtë vote kanë një milion e 806 mijë e 336 votues të regjistruar në Listën zgjedhore.

Votohet në 3.748 vendvotime të cilat do të jenë të hapura prej orës 7:00 deri në orën 19:00.

Pas mbylljes së votimit në orën 19:00, KSHZ rezultatet e para nga referendumi të marra me anë elektronike i publikon në mënyrë sukcesive, ndërsa rezultatet në bazë të të dhënave nga procesverbalet dhe i tërë materiali votues nga KKZ në afat prej 24 orëve pas pranimit të tyre. Rezultatet përfundimtare të referendumit KSHZ i publikon menjëherë, ndërkaq më së voni në afat prej 24 orëve nga dita e përfundimit të tyre.

KSHZ i publikon rezultatet e referendumit në gazetën zyrtare në afat prej 15 ditëve nga dita e mbajtjes.

Deklarimin e sotëm në referendum do ta vëzhgojnë numër rekord i vëzhguesve vendorë dhe të huaj. Numri zyrtar nga KSHZ i vëzhguesve të akredituar vendorë është 11.907, i vëzhguesve të huaj është 493, ndërsa organizatat ndërkombëtare akredituan edhe 194 përkthyes.

Krahas gazetarëve nga vendi, referendumin do ta ndjekin edhe gazetarë të huaj. KSHZ ka akredituar 83 gazetarë nga 32 mediume.