Rasti i Almirit, kërkohen “kokat” e prokurorëve dhe gjykatësve, ja lista?

Në deklaratën e organizatorëve të protestës “Drejtësi për Almirin” u kërkua përgjegjësi dhe shkarkimi i menjëhershëm i prokurorëve dhe gjykatësve në Maqedoni, sidomos instancave që nuk vepruan drejt me këtë rast.

Ja deklarata e plotë:

U mblodhëm sot të protestojmë për drejtësinë e kalbur në Republikën e Maqedonisë. Para syve tonë, pa turp, organet e drejtësisë vrasjen e Almirit të vogël e rikualifikuan në aksident trafiku. Jemi këtu të tregojmë se këtë, nuk do ta lejojmë. DREJTËSI PËR ALMIRIN PATJETER DUHET TË KETË.
Boban Iliq kreu vrasje! Akuza duhet të jetë sipas dëshmive, dhe jo sipas qëndrimeve dhe interesave të imponuara dhe të njanshme!
Rasti për Almirin do të gjykohet në mënyrë të drejtë dhe ligjore vetëm nëse procedura gjyqësore do të nis nga fillimi, dhe të njëjtën do ta udhëheqin prokurorë profesionistë, të paanshëm dhe të pakorruptuar, edhe atë, jashtë Kumanovës. Prokurorë dhe gjykatës të cilët do të vendosin në mënyrë profesionale, të drejtë, të ndershme dhe të paanshme.
Prandaj, ne, qytetarët e Republikës së Maqedonisë, do të parashtrojmë kallëzime penale kundër:
– Prokurores Publike Suzana Kusigerska, për keqpërdorimin e detyrës, lëshime të shumta në procedurën dhe mos paraqitje të qëllimshme të fakteve dhe dëshmive, për të cilat dëshmoi i tërë opinioni, dhe që rezultoi me rikualifikimin e veprës nga vrasja në vepër penale serioze në trafik.
– Njëkohësisht kërkojmë përgjegjësi nga të gjithë bartësit e funksioneve në padrejtësinë ndaj Almirit:

– (Kërkojmë) Përgjegjësi nga Prof. Dr. Branisllav Stefanovski, neuropsikiatër dhe Asistentes Dr. Zoja Babinkovska për kryerjen e ekspertizës në kundërshtim me ligjin për ekspertizë.
– (Kërkojmë) Shkarkim të gjykatëses Maja Denkovska, për kryerje joprofesionale të detyrës. Denkovska qëllimisht nuk i pranoi dëshmitë dhe dëshmitarët kyç të cilët e konfirmojnë qëllimin për vrasje nga i akuzuari.
– (Kërkojmë) Shkarkim i U. D. Prokurores Publike Teuta Bediu Ramadani, për mospranimin e kërkesës për largimin e Prokurores Kusigerska, gjegjësisht, pengimin e drejtësisë për Almirin.
Kërkojmë shkarkimin e të gjithë prokurorëve publikë të Kolegjiumit të Prokurorisë Publike të R.M.
– Aco Kolevski
– Bashkim Besimi
– Bodan Llazarevski
– Ferat Elezi
– Ismail Dardhishta (ish ministër)
– Liljana Spasovska
– Anita Topallovska – Isajllovska
– Xhelal Bajrami (ish ministër)
– Voislav Gavrovski
– (Kërkojmë) Shkarkim urgjent të Prokurorit Publik të Republikës së Maqedonisë, Ljubomir Jovevski, për arsye se merr vendime identike si Marko Zvërlevski. Jovevski nuk është reformë!
Kërkojmë përgjegjësi nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë dhe Kryeministrit Zoran Zaev. Zaevi dhe Qeveria e R.M. jo vetëm që nuk i realizuan reformat e paralajmëruara në gjyqësi, por edhe lejuan që drejtësinë ta ndajnë gjykatësit dhe prokurorët e njëjtë, të korruptuar, joprofesionistë dhe të njëanshëm të cilët e vranë Almirin përsëri.
Kërkojmë drejtësi për Almirin!
Pa drejtësi – nuk ka paqe!” – u tha në deklaratën e organizatorëve të protestës.

Loading...