Rasti “Monstra”, Shkupi dërgon kërkesë në Prishtinë për Demirin dhe Ismailoviqin

Ministria e Drejtësisë e Maqedonisë ka lëshuar kërkesë zyrtare për ekstradimin nga Kosova të dy të dënuarve me burg të përjetshëm, Alil Demirit dhe Afrim Ismailoviqit për rastin “Monstra”, informon INA.

Gjykatësi Ognen Stavrev njoftoi se ministrja e Drejtësisë Renata Deskoska ka dorëzuar njoftim deri tek gjykata.

Sipas tij, tashmë ka nisur procesi për ekstradimin dhe gjithçka do të varet nga autoritetet kosovare.

Edhe para dy viteve ishte kërkuar ekstradimi i tyre, por kishte pasur përgjigje negative nga ana e autoriteteve kosovare.

“Nuk lejohet ekstradim në Republikën e Maqedonisë, për personat e kërkuar Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri, shtetas të Republikës së Maqedonisë. Ndaj personave të njëjtë vazhdohet masa e paraburgimit deri në momentin që vendimi për refuzim të ekstradimit të bëhet i plotë-fuqishëm”, thuhet në vendimin e Gjykatës themelore të Prishtinës me datë 29.10.2015, njoftuan sot nga Gjykata themelore Shkupi.

Më pas Gjykata e Apelit e Kosovës, sektori për kriminalitet të rëndë jo vetëm që ka konfirmuar vendimin për refuzim të ekstradimit, por edhe ka liruar nga paraburgimi Demirin dhe Ismailoviqin.
“Ankesa e Prokurorisë themelore publike Prishtinë refuzohet si e pabazë, derisa vendimi i Gjykatës themelore të Prishtinës e datës 29 tetor 2015, vërtetohet. Pasi këshilli i Gjykatës së Apelit në Prishtinë ka vlerësuar se ekstradimi nuk lejohet, personave Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri, u ndërpritet masa e paraburgimit në pajtim me vendimin e datës 22.01.2016 në të njëjtën ditë”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës.

Në njoftimin e lëshuar nga Gjykata Themelore Shkupi 1 thuhet se fletëarresti ndërkombëtar do të vlejë për vendet jashtë kufijve të territorit të Republikës së Kosovës. Afrim Ismailoviq dhe Halil Demiri janë në mesin e 6 shqiptarëve nga Maqedonia të cilët u dënuan me burg të përjetshëm nën akuzën për vrasjen e pesë personave në afërsi të Liqenit të Smilkovës në mars të vitit 2013, i njohur si rasti “Monstra”. (INA)

Komentet

komentet