Reagime rreth parregullsive në Listën Zgjedhore

Probleme të shumta me listën zgjedhore janë evidentuar qysh në ditën e parë të shqyrtimit publik. Deri tek organizata joqeveritare “CIVIL” e cila mes tjerash merret edhe me monitorimin e cikleve zgjedhore, qytetarët veçmë kanë paraqitur edhe vërejtjet e para, duke raportuar për votues fantomë dhe persona të vdekur që figurojnë në listë.

 CIVIL

“Fantomët në Listën zgjedhore janë kthyer dhe janë vendosur në mënyrë komote në adresat e qytetareve dhe qytetarëve që u lajmëruan në organizatën tonë. Morëm edhe një paraqitje për person të ndjerë i cili ende figuron në Listën zgjedhore. Në një rast, një qytetar na shkruan se menjëherë është lajmëruar në KSHZ të paraqes disa “mysafirë të pa paralajmëruar” në adresën e vetë. Nga atje, si dhe në proceset e kaluara zgjedhore, e kanë drejtuar të lajmërohet në MPB”

Edhe ekspertët reagojnë rreth dilemës në opinion se kush duhet ta pastrojë listën zgjedhore, që lindi pasi KSHZ-ja kërkoi ndihmën e qytetarëve. Njohësi i çështjeve juridike, Naser Ziberi vlerëson se kërkesa e KSHZ-së është absurde dhe paradoksale, pasi Kodi Zgjedhor qartë ka përcaktuar se azhurnimi i listës zgjedhore është kompetencë e KSHZ-së. Ziberi thotë se qytetari është i obliguar të paraqesë parregullsitë që e tangojnë atë individualisht, por se ai nuk është i obliguar ta pastrojë listën.

Nuk mund qytetari të bëjë pastrimin e listës zgjedhore dhe të paraqet parregullsitë për personat të cilët nuk i njeh. Edhe po t’i njeh, nuk është detyrë e tij që ta bëjë atë. Prandaj ekziston Komision Shtetëror Zgjedhor. Prandaj i janë dhënë kompetencat. Prandaj i janë dhënë mjetet. Prandaj ekzistojnë institucione tjera, siç është Ministria e Punëve të Brendshme, Drejtoria për udhëheqjen e librave amë, Enti Statistikor dhe të gjitha institucionet tjera që kanë pika takimi me listën e votuesve. Prandaj mendoj se Komisioni Shtetëror Zgjedhor është i ri në përbërje dhe sigurisht që shumë nga çështjet ende nuk i ka të njohura dhe studiuara mirë dhe deklarohen në këtë mënyrë” – tha Naser Ziberi, Ekspert juridik.

Ziberi ndër tjerash shtoi se, në vend ka pasur debat të gjerë në qarqet politike që azhurnimi i listës zgjedhore nga MPB-ja të bartej tek KSHZ-ja. Andaj tani që KSHZ-ja e ka këtë kompetencë duhet edhe ta realizojë, për çka mund të angazhojë mjete, instrumente dhe institucione dhe madje edhe të kërkojë shtesë poqëse ka nevojë.

Anesa Salihu