Ricilësohet vepra në gjykimin e hoxhës së akuzuar për paratë e kurbanëve

Në gjykimin e imamit të xhamisë së Janjevës, Shemsi Gajtanit, i cili ishte i akuzuar për veprën penale të mashtrimit në detyrë, prokurori i rastit Feti Tunizliu e bëri ricilësimin e veprës penale nga mashtrimi në detyrë në veprën penale keqpërdorim i besimit.

“Pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, kam gjetur se i pandehuri Shemsi Gajtani nuk mund ta ketë cilësinë e personit zyrtar në kuptim të përkufizimit të dhënë sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ndërsa rrethanat tjera që janë përshkruar në dispozitiv të kësaj aktakuze konsideroj se korrespondojnë me elementet e veprës penale – keqpërdorimi i besimit”, tha prokurori Tunizliu.

Sipas prokurorit, i akuzuari Shemsi Gajtani gjatë përfaqësimit të interesave të Bashkësisë Islame të Kosovës me seli në Prishtinë nuk i ka përmbushur detyrimet e tij me qëllimin që vetës t’i sjellë dobi pasurore të kundërligjshme, interesat pasurore të së cilës i ka përfaqësuar.

“Gjatë muajve tetor-nëntor të vitit 2013 derisa ka qenë në pozitën e imamit të xhamisë në Janjevë të Lipjanit nuk i ka dorëzuar gjithsej 300 euro që i ka pranuar nga Avdullah Kongjeli, Lutfi Bikiqi e Haxhi Bislimi nga 100 euro dhe nga Naim e Mentor Berisha kupon me vlerë të njëjtë dhe që të gjithë kuponët e lëshuar që kanë qenë fotokopje i njëjti ka lëshuar edhe 5 për persona të tjerë në emër të atyre pagesave me rastin e shitblerjes së kurbaneve”, deklaroi prokurori Feti Tunizliu, i cili në bazë të aktakuzës, pretendon se këto para të cilat kanë qenë të parapara për shitblerje të kurbanëve, imami i xhamisë në Janjevë nuk i ka dorëzuar por i ka ndalur të gjitha për vete ndonëse ka qenë detyrim i tij për t’i dorëzuar në BIK, raporton KALLXO.com.

Me deklarimin e prokurorit nuk u pajtua vetë i akuzuari, i cili deklaroi se ai nuk e ka pasur për detyrë shitblerjen e kurbanëve.

Ai tha se një gjë e tillë mund të vërtetohet me dëgjimin e dëshmitarëve, të cilët i ka propozuar që të ftohen për të dëshmuar.

Më pas në cilësi të dëshmitarit u dëgjua përfaqësuesi nga BIK-u, Resul Rexhepi, i cili deklaroi se mbetet në tërësi pranë deklaratave të tija të dhëna më herët në Polici dhe Prokurori, për të cilin prokurori i çështjes nuk pati pyetje.

Ndërsa kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismajli, dëshmitarin e pyeti nëse BIK-u kishte qenë në dijeni për keqpërdorime me paratë të cilat kishin qenë të planifikuara për kurbanë.

Në lidhje me këtë dëshmitari tha se ishin informuar vetëm pas ankesave të qytetarëve, ku pas këtyre ankesave ai tha se imamin e kishin degraduar nga pozita duke ija ndërruar vendin e punës.

“Konstatimin e parë e ka bërë Këshilli i Bashkësisë Islame i Lipjanit, të cilët nga ana e tyre kanë marrë masa administrative kundër imamit në fjalë, e kanë hequr prej Janjevës dhe e kanë dërguar në një fshat tjetër për t’i falur vetëm xhumatë dhe gjithashtu e kanë angazhuar më tepër për shkak të familjes që ta vozitë edhe veturën për të vdekur”, tha dëshmitari.

“A jeni të njoftuar ju për çfarë arsye e kanë suspenduar?”, e pyeti dëshmitarin kryetari i trupit gjykues.

“Ata kanë qenë shkalla e parë dhe ata me siguri në bazë të rrethanave ekzistuese kanë vendosur. Ndërsa ne jemi njoftuar nga Këshilli i Bashkësisë Islame”, u përgjigj dëshmitari.

Seanca e radhës do të mbahet më 27 korrik.

Gajtani akuzohet se u ka dhënë kuponë të rrejshëm për blerjen e kurbanëve 5 personave me rastin e festës së Kurban Bajramit.

Hoxha i Janjevës akuzohet se mashtroi me faturat e kurbanëve

Në këtë çështje penale, aktakuza e Prokurorisë pretendon se Gajtani, në cilësi të personit zyrtar, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete ka prezantuar rrejshëm kuponët e pagesave të cilët kishin paguar nga 100 euro për kurban, me rastin e festës së Kurban Bajramit.

Prokuroria pretendon se kuponë në vlerë të lartcekur u ka dorëzuar pesë personave, Avdullah Kongjelit, Lutfi Bikliqit, Haxhi Esat Bislimit, si dhe Naim e Mentor Bislimit.

Sipas aktakuzës, që të gjithë kuponët e lëshuar nga ai kanë pasur numrin e njëjtë serik (006432) dhe kanë qenë të lëshuar në fotokopje.

Aktakuza thotë se i akuzuari u ka lëshuar së paku edhe pesë personave të tjerë kuponë të njëjtë në emër të po atyre pagesave të cekura më lartë, por që meqenëse këta persona nuk i kanë ruajtur kuponët, atëherë Prokuroria nuk do ta ngarkojë për kuponët e tjerë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari është arsyetuar se deri te lëshimi i këtyre kuponëve ka ardhur pasi që nuk ka pasur kuponë të tjerë.

Loading...