Rigjykimi i rastit Almir Aliu, babai: Kërkojmë vetëm drejtësi

Gjykata Themelore e Kumanovës ka thirrur për 19 shkurt seancën për rigjykimin e rastit të Almir Aliut. Trupi gjykues do të udhëhiqet nga gjykatësja Maja Denkoska, ndërsa akuza do të përfaqësohet nga prokurorja e akuzës së parë, Suazana Kusigerska. Familja Aliu ka mirëpritur këtë vendim, por ka shprehur skepticizëm për procesin e rigjykimit. Babai i Almirit, Sedat Aliu thekson se nga gjykata nuk kërkon mëshirë, por vetëm drejtësi.

Neve gjithmonë kemi kërkuar vetëm se drejtësi dhe nuk kemi kërkuar mëshirë nga askush. Gjykata  e Apelit në Shkup i ka parë vërejtjet dhe e ka vlerësuar si të arsyeshme që lëndën ta kthejë për shkak të lëshimeve të Gjykatës së Kumanovës. Tash e tutje presim që të mos bëhen gabimet e njëjta. Nga Gjykata Kumanovës nuk kërkojmë asgjë tjetër përveç se drejtësi- deklaroi Sedat Aliu, babai i Almir Aliut.

Dokumenti që ka siguruar Alsat, që ka të bëj me vendimin e Gjykatës së Apelit për kthimin e lëndës në rigjykim, i referohet kryesisht rikualifikimit të pabazë të veprës nga “vrasje” në “aksident komunikacioni”.

Gjykata e Apelit për rastin e Almir Aliut
“Gjykata ta vërtetojë nëse i akuzuari Boban Iliq, veprën e ka kryer me paramendim apo nga pakujdesia. Të vërtetohet nëse ekspertët psikiatrik që kanë bërë ekspertizat kanë pasur ose jo licenca valide dhe në përputhje me Ligjin për ekspertizë ligjore”.

Ankesa e Prokurorisë Themelore të Kumanovës ndaj dënimit të ulët për të akuzuarin Boban Iliq është hedhur poshtë nën arsyetimin se në situatë kur rasti kthehet në rigjykim, nuk ka lëndë dhe vepër dhe për këtë arsye nuk mund të procedohet. Për vrasjen e Almir Aliut, Boban Iliq u dënua me 6 vite burg, ndërsa babai i Almirit bashkë me dy familjarët, nën akuzën për dhunë u dënuan me 6 muaj dhe njëri me 9 muaj burg efektiv. Jashtë akuze mbeti vëllai i të akuzarit të parë, Bojan Iliq. Prokuroria Themelore, mbi bazën e ekspertizave neuropsikiatrike, akuzën për vrasje e rikualifikoi në aksident trafiku, pa marrë parasyshë se ekspertizat ishin përgaditur nga ekspertët pa licenca. Vrasja e Almirit ndodhi më 25 qershor të vitit 2016 në Kumanovë.

Adrian Kerimi