Rikthehet seriali humoristik “Kafeneja Jonë”, ja ku do të transmetohet!

Seriali vendor “Kafeneja Jonë” që për shumë vite i ka thyer të gjitha rekordet e shikueshmërisë shumë shpejt do të rikthehet në ekran. E këtë për publikun e ka mundësuar një marrëveshje mes televizionit T7 PTK-së dhe producentit të serialit Shkumbin Istrefi.

Se seriali më i pëlqyer vendor i të gjitha kohërave do të rikthehet në ekran e ka konfirmuar një prej aktorëve më të dashur të këtij seriali Fatmir Spahiu, apo siç njihet me emrin e rolit “Oki”.
“Pas serialit “Kafeneja jonë” unë dhe kolegët e mi kemi pas me dhjetëra projekte tjera në TV teatër film etj. Përkundër kësaj pavarësisht se çka postojmë ose bëjmë kërkesa për kthimin e këtij seriali është e pandalshme qysh nga koha kur u ndal transmetimi. Producenti i këtij seriali si duket ka arritë marrëveshje për kthimin e këtij seriali të paktën për një sezonë. Besoj të shihemi së shpejti” ka shkruar Spahiu në Facebook.

Por drejtori i televizionit T7 Berat Buzhala ka zbuluar më shumë për publikun. Ai ka njoftuar se “Kafeneja Jonë” do të shfaqet në T7.

“Në bashkepunim me Valën dhe Shkumbin Istrefin kemi arritur marrëveshje që nga muaji tjetër seriali më i popullarizuar në vend “Kafeneja Jonë” t’ i fillojë xhirimet për t’u transmetuar në T7. Jam paksa i eksituar. Secilin prej njerëzve të atij ekipi i dua ” ka shkruar Buzhala.

“T7 ka arritur marrëveshje që gjithashtu shërbimet e veta t’i transmetojë në IPTV-në e Telekomit të Kosovës”, ka shkruar Buzhala në Facebook.