Rrëfimi i motrës së Ibrahim Bashës, efektivit të vrarë në Lazarat

Habibe Basha i drejtohet çdo ditë Komisariatit Nr. 3, ku prej 3 vitesh po punon si efektive e Patrullës së Përgjithshme.

Habibja kryen ritualin e saj çdo ditë, regjistrohet në librin e shërbimit, kontrollon armën, njihet me detyrat dhe më pas del në patrullim.

“Në vitin 2017 jam bërë pjesë e patrullës së Komisariatit 3. Është e vështirë, jo vetëm për femrat, por të punosh në polici është e vështirë”, tha Habibe Basha.

Habibe Basha është motra e të ndjerit Ibrahim Basha. Pavarësisht vështirësive, ajo shprehet e kënaqur, pasi jo vetëm që po ndjek pasionin e saj, por kjo ka qenë edhe një dëshirë e vëllait të ndjerë.

“Përveç faktit se familja ime ka qenë pjesë e policisë, mund të them që kam vazhduar rrugëtimin e lënë përgjysmë të vëllait tim”, tha Habibe Basha.

Për prindërit, veshja e Habibes me uniformën e policisë nuk ishte e lehtë.

“Prindërit, pas ndodhisë që kemi pasur, pas humbjes së vëllait, nuk e pritën mirë, por unë këtë dëshirë kam shprehur, doja të bëhesha police dhe më mbështetën”, tha Habibe Basha, motra e Ibrahim Bashës.

Emri i mirë që ka lënë pas Ibrahim Basha ka shërbyer si një certifikatë vlerësimi për Habiben.

“Ndihem mirë, më respektojnë, jo për vet faktin që jam punonjëse, por edhe për faktin që jam motra e Ibrahimit”, tha Habibe Basha.

Habibe Basha flet me pasion për Ibrahimin, për ato që ai la pas në aspektin profesional.

“Ka marrë shumë certifikata në ushtri. Në vitin 2013 është shpallur xhenieri më i mirë. Nëse do i vinte diçka vetes për të arritur, e arrinte, ishte shumë ambicioz. Vetëm me forcat e tij. Çdo ditë mendoj se ai është pranë, nuk e mendoj se ka ikur”, tha Habibe Basha.

Karakteri i fortë i një policeje të re zbehet sapo i kujtohet biseda e fundit që ka pasur me të vëllanë e ndjerë.

“Kemi qeshur shumë atë natë, në telefonatën e fundit, po bënim shaka. Telefonatë lamtumire… E thashë, vëllain e madh e kam pasur si personin që gjithçka mund të besoja, por jo që do t’i ndodhte diçka atij. Kam qenë shumë e lidhur”, tha Habibe Basha, motra e Ibrahim Bashës.