Rritet volumi i mallrave nga rrugët ajrore, detare e hekurudhore

Volumi i mallrave të ngarkuara/shkarkuara përmes linjave portuale, ajrore dhe asaj hekurudhore të vendit, shënoi rritje progresive gjatë muajit dhjetor 2018, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, bëri të ditur sot Instituti i Statistikave (INSTAT).

Volumi i mallrave të ngarkuara/shkarkuara në portet e vendit u rrit me 8,5%

INSTAT, publikoi të dhënat zyrtare ku evidenton se volumi i mallrave të ngarkuara/shkarkuara në portet e vendit në muajin dhjetor 2018 shënoi 335 mijë tonë, duke u rritur 8,5%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017.

Ndërsa në vitin 2018, volumi i mallrave të ngarkuara/shkarkuara në porte është 3.890 mijë tonë, duke u ulur me 3,3 %, krahasuar me vitin 2017.

Volumi i mallrave të transportuara me hekurudhë u rrit me 86,3%

Sipas INSTAT, volumi i mallrave të transportuara me hekurudhë është 2.532 mijë ton-kilometër, duke u rritur me 86,3% krahasuar me dhjetorin e vitit 2017.
Për vitin 2018, ky volum është 20.415 mijë ton-kilometër, duke u ulur me 19,3% krahasuar me vitin 2017.

Transporti me rrugë ajrore u rrit me 5,5% 

Të dhënat zyrtare tregojnë se në muajin dhjetor 2018, volumi i mallrave të transportuar nga ajri është 231 tonë duke u rritur 5,5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017.

Në vitin 2018, nga ajri janë transportuar 2.245 tonë mallra, duke u ulur me 0,9%, krahasuar me vitin 2017. /ATSH