Rrugë e vështirë drejt finalizimit të dialogut Kosovë-Serbi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dje u takua me homologun nga Serbia, Aleksandër Vuçiq në kuadër të fazës finale të dialogut. Takimet e këtij raundi po zhvillohen për arritjen e një marrëveshje të përbashkët për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dyja vendeve.

Mirëpo, takimi i djeshëm doli të jetë shumë i vështirë për të dyja palët. Zëdhënësja për Politikë të Jashtëm e BE-së, Maja Kociançiq  është shprehur se nuk ka ndonjë datë se kur do të jetë takimi i radhës mes dy presidentëve, por që pritet të bëhet brenda disa javësh. Derisa, opozita vazhdon të këmbëngul se Thaçi nuk është legjitim në këto negociata…

Takimi i radhës ndërmjet dy presidentëve, Thaçi-Vuçiq në kuadër të fazës finale të dialogut ende nuk është saktësuar se kur do të mbahet. Zëdhënësja për Politike të Jashtëm të BE-së, Maja Kociançiq për Indeksonline ka thënë se tani nuk mund të jap ndonjë datë se kur do të takohen, mirëpo bënë të ditur se kjo do të ndodh brenda pak javësh.

“Përfaqësuesja e lartë dhe të dy presidentët rishikuan progresin e bërë në diskutimet mbi kornizën e arritjes së një marrëveshjeje të detyrueshme ligjore për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy palëve. Ata ranë dakord që të rishikohen brenda pak javësh për të vazhduar punën e tyre”, thuhet në një link që Kociançiq sugjeron t’i referohemi.

Thaçi në takimin me Përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federika Mogherini deklaroi se në takimet në Bruksel Kosova po përfaqësohet në mënyrë unike si në përfaqësim ashtu edhe në qëndrimet politike.

Mirëpo, të njëjtën nuk po e thotë edhe opozita, e cila po kundërshton udhëheqjen e dialogut nga Thaçi pa u mandatuar nga Kuvendi. Deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi për Indeksonline ka thënë se Presidenti Thaçi e ka dëshmuar që në Bruksel nuk ecën me agjendën e institucioneve të Kosovës.

“Thaçi tashmë e ka dëshmuar që në Bruksel nuk ecën me agjendën e institucioneve të Kosovës, në këtë rast as të Kuvendit të Kosovës. Agjenda e tij në Bruksel është tërësisht klandestine dhe konspirative, rrjedhimisht e dëmshme për Kosovën. Duke qenë e dëmshme ajo edhe po mbahet në fshehtësi që qytetarët e Kosovës të e kuptojnë”, ka thënë Selimi.

Në anën tjetër, deputeti i pavarur Korab Sejdiu është shprehur se Thaçi nuk ka mandat kushtetues e as legjitimitet për të përfaqësuar Kosovën në bisedimet me Serbinë.

“Presidenti Thaçi nuk ka as mandat Kushtetues, e as legjitimitet politik për të përfaqësuar Kosovën në bisedime me Serbinë, që po duket se ka gjasa të jenë me rëndësi jetike për Kosovën dhe qytetarët e saj. Fatkeqësisht, listës së keqpërdorimeve dhe abuzimeve të tij ndaj Kosovës dhe qytetarëve tanë, si duket tani po i shtohet përfaqësimi jolegjitim, ilegal dhe klandestin i Kosovës edhe në këto bisedime jetike me Serbinë, nga i njëjti njeri qe cak jetësor duket t’i ketë interesat personale. Edhe në këtë proces të kësaj rëndësie historike, qëllimi i tij mbetet mbijetesa politike dhe personale, në dëm të interesave tona kombëtare”, ka deklaruar ai.

Sejdiu ka shtuar se marrëveshjet që nuk janë të përfaqësuara nga personat legjitim nuk kanë fuqi juridike e as morale.

“Duhet ta kuptojnë të gjithë, përfshirë edhe BE-në si ndërmjetësuese, se në tryezën e bisedimeve me Serbinë, ky “përfaqësues” përfaqëson vetëm veten dhe assesi shumicën dërmuese të qytetarëve të Kosovës. Marrëveshjet nga ai nuk kanë as fuqi juridike, e as morale, dhe si të tilla nuk janë të obligueshme për qytetarët e këtij vendi dhe qeveritë e ardhshme legjitime. Një e ardhme paqësore dhe progresive e Kosovës, Serbisë, por edhe Ballkanit mund të ndodhë vetëm atëherë kur interesat e qytetarëve të Kosovës përfaqësohen nga përfaqësuesit e tyre legjitim. Çdo alternativë tjetër mbjellë vetëm fatkeqësi”, ka shtuar ai.

Ndërsa, politologu Donik Sallova përfaqësimin e negociatave nuk e sheh si problem. Ai në një përgjigje ka thënë se problem do të paraqiste nëse nënshkruhen marrëveshje pa përfillur mendimin e Kuvendit.

“Unë mendoj qe përfaqësimi ose kryesimi i negociatave nuk paraqet problem. Problem do paraqiste nëse Thaçi nënshkruan marrëveshje dhe merr vendime pa përfillur mendimin e Kuvendit, sepse në fund duhet të jetë Kuvendi ai qe duhet të miratoj ose jo çdo marrëveshje me Serbinë”, ka theksuar Sallova.

Sipas tij, Thaçi duke përfshirë në ekip negociues opozitën, nuk po kërkon ta legjitimitoj vetën, por t’ia pamundësoj opozitës që më vonë të kundërshtoj marrëveshjet në Kuvend. “

Por, këtë çështjen apo dilemën e legjitimitetit të përfaqësimit e ka krijuar vetë Thaçi i cili duke synuar të krijoj ekip negociator gjithëpërfshirës po dëshiron që edhe opozitën ta bëjë “bashkëfajtore” në çfarëdo kompromise që do duhet ta bëjë në Bruksel. Pra, duke e përfshirë në ekip negociator opozitën, Thaçi nuk po kërkon ta legjitimojë vetën, por t’ia pamundësojë që më vonë opozita t’i kundërshtojë marrëveshjet në Kuvend. Sepse me opozitën jashtë ekipit negociator Thaçi do ta paguante i vetëm çmimin e kompromiseve të reja te dhimbshme për të cilat tashmë edhe ai vet po paralajmëron”, ka përfunduar Sallova.

Ndryshe, dje Presidenti Thaçi deklaroi se takimi i djeshëm me Vuçiqin ishte më i vështiri në këto gjashtë vitet e fundit.

“Ka qenë takim i shkurtër, takim jo i lehtë, shumë i vështirë. Ma i rëndi në këto gjashtë vitet e fundit. Nuk do të jetë e lehtë, takimet e ardhshme do të jenë edhe më të vështira. Ka qenë takim i rëndë, sepse Serbia ende mendon që Kosova është pjesë e saj, ende jeton me mentalitetin e së kaluarës”, ka thënë Thaçi pas takimit.

Ai është shprehur se janë duke punuar maksimalisht që të arrijnë marrëveshje përfundimtare me Serbinë, përkatësisht arritjen e një marrëveshje finale të detyrueshme për të dyja palët./Indeksonline/

Loading...