Sa BESA aq edhe PDSH të ketë nga “kulaçi” qeveritar, ja kush e kërkon?

Zëra brenda BDI-së kërkojnë që edhe PDSH të bëhet pjesë e Qeverisë, në rast se insistohet për përfshirjen e BESËS nga ana e LSDM dhe një krahu të saj.

Ndërsa këto zëra siç mëson INA shkojnë deri aty që sa poste do të jenë për Lëvizjen BESA, aq të jenë edhe për PDSH-në, duke filluar nga postet ministrore, pasi që bëhet fjalë për parti të vogla që kanë 3 dhe 2 deputetë dhe nuk ka dallime të mëdha mes tyre. Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti në disa raste ka shprehur gatishmërinë për të përfshirë PDSH-në në Qeveri. Ahmeti për këtë pritet të kundërshpërblejë PDSH-në për përkrahjen në zgjedhjet e fundit lokale në disa komuna, ku votat e PDSH ishin vendimtare për fitoren e kandidatëve të BDI, informon INA.

Deri tani siç mësohet nuk ka ardhur deri tek ndarja e resoreve dhe posteve dhe se po diskutohet për pikat e përbashkëta të bashkëqeverisjes. (INA)