Sali Berisha ende pa përgjigje pas akuzave të rënda të Hashim Thaçit

Ka më shumë se pesë orë që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i është kundërpërgjigjur ashpër ish presidentit dhe kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha.

Mirëpo, ky i fundit ende nuk është deklaruar lidhur me akuzat e rënda që Thaçi ia bëri atij.

Zakonisht, Berisha është shumë aktiv në llogarinë e tij në Facebook dhe nuk përton që të merret edhe me çështje më minore, megjithatë kësaj here duket se e ka zgjedhur heshtjen.

Sali Berisha sot doli kundër idesë së Thaçit që Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës. Kjo deklaratë e nxiti Thaçin që të reagojë në drejtim të Berishës, shkruan lajmi.net.

Thaçi, pa ia përmendur emrin drejtpërdrejt Berishës, shkroi se institucioneve të Republikës së Kosovës sot më së paku iu duhen këshillat e të dëbuarve me votë masive nga skena politike.

Veçanërisht të atyre që në mes viteve 1992 – 1997 tregtonin dhe bënin që me punët e tyre të pista të mbijetonte makineria ushtarake dhe policore e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq. Ata duke mbushur xhepat e tyre, u kujdesën me devotshmëri që rezervuaret e tankeve dhe autoblindave të jenë të mbushur plot, përkundër faktit se bashkësia ndërkombëtare kishte vënë sanksione kundër Millosheviqit.

Nuk i duhen këshillat e atyre që strehuan Bin Ladenin, vrasësin e civilizimit botëror si dhe Arkanin, vrasësin e shqiptarëve të Kosovës.

Nuk i duhen këshillat e atyre që burgosën komandantin legjendar Adem Jashari, si dhe komandantë të shquar si Fehmi e Xhevë Lladrovci, Zahir Pajazit, dhe UÇK-në e etiketuan si terroriste.

Këta që sot kundërshtojnë vullnetin e shqiptarëve të Preshevës, Bujanovcit e Medvegjës për bashkim me Kosovën, janë të njëjtit që Presidenti Rugova për së gjalli nuk i lejoi ta shkelin tokën e Kosovës. Këshillat e tyre i takojnë kohës së turpit të historisë shqiptare, shkroi Thaçi.

Deri me tash i vetmi që ka reaguar zyrtarisht në PD-ja e Berishës është Tritan Shehu i cili i ka dalë në mbrojtje ish kryeministrit shqiptar.

Për idenë e Thaçit zyrtarisht ende nuk është deklaruar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. /Lajmi.net/

Loading...