Samir Mane dhe Hari Kostov blejnë “Tirana Bank” për 57.3 milionë euro

Banka e Pireut në Greqi ka njoftuar zyrtarisht sot se ka hyrë në një marrëveshje me Grupin Balfin dhe Komercijalna Banka për shitjen e aksioneve të degës së saj në Shqipëri, Tirana Bank.

Transaksioni thuhet në njoftim, është subjekt i kushteve, duke përfshirë miratimet rregullatore dhe të tjera nga autoritetet përkatëse në Komisionin Europian, Greqi dhe Shqipëri, si dhe Fondin Helenik të Stabilitetit Financiar.

Shuma totale në konsideratë arrin në 57.3 milionë euro për 98.83% të aksioneve të Bankës Piraeus në Tirana Bank.

Unicredit ka vepruar si këshilltar ekskluziv financiar i Pireut për transaksionin. Norton Rose veproi si këshilltar ligjor ndërkombëtar i Piraeus dhe Boga & Associates si këshilltar ligjor lokal i Pireut për Transaksionin, përfundon njoftimi zyrtar i bankës së Pireut.

Tirana Bank është banka e gjashtë më e madhe në vend. Sipas të dhënave të Shoqatës së Bankave, totali i aktiveve të bankës ishte rreth 80 miliardë lekë në fund të vitit 2017, ose rreth 5.3% e totalit të aktiveve në sistem. Banka ka 4.2% të stokut të kredive dhe 5.2% të depozitave dhe e kishte mbyllur vitin 2017 me një fitim prej 69 milionë lekësh. Numri i punonjësve ishte 439 në fund të vitit 2017, teksa banka ka 39 degë.

Kjo është banka e dytë me kapital grek që shitet, pasi NBG u ble në muajt e parë të këtij viti nga Abi bank. Abi Bank kishte shprehur interes edhe për blerjen e Tirana Bank.

Grupi Balfin është në pronësi të biznesmenit shqiptar Samir Mane, ndërsa Komercijalna Banka apo Banka Komerciale në Maqedoni është në pronësi të bankierit dhe ish-kryeministrit me origjinë vllehe, Hari Kostov. (INA)

 

 

Komentet

komentet

Loading...