Sela: Shqiptarët u shprehen qartazi, janë të pakënaqur

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, në një konferencë për shtyp së bashku me aleatin e tij të Besës, Bilal Kasami dhe kandidatin e tyre të përbashkët për President, Blerim Reka, tha se shqiptarët e dhanë qartazi mesazhin dhe sot me votë dëshmuan se janë të pakënaqur.

Këtë, sipas kryetari të ASH-së, e dëshmuan me votë direkte për profesor Rekën ku në të gjitha komunat me shumicë shqiptare, profesor Reka fiton me rezultatin 3 me 1. Sipas tij, mesazh të fortë jep edhe numri i ulët i daljeve në komunat me shumicë shqiptare, bojkoti për definicion, është bojkot ndaj pushtetit dhe bojkot ndaj pushtetit qeverisës. Gjithashtu, tha ai, shihen edhe gjurmët e këtij shtetit të zbrazur, mungesës së shtetit të së drejtës dhe mungesës së shpresës në këtë vend. Partitë në pushtet kanë humbur përfundimisht në këto zgjedhje, përfundoi Sela.