Shkodër, hetime në disa pista për vrasjen e biznesmenit

Hetimet për të zbardhur vrasjen e biznesmenit Arjan Ferracaku po zhvillohen intensivisht, edhe pse deri tani nuk ka asnjë të dhënë që mund të hedhë dritë mbi motivet dhe autorët e krimit.

Në orët e vona të së shtunës, policia ka shoqëruar në Komisariat më shumë se 30 persona, duke shpresuar se dëshmia e tyre do të hedhë më shumë dritë mbi krimin, por pa rezultat.

Nga dëshmia e tyre nuk është përfituar asnjë e dhënë për identifikimin e autorëve, por policia, pjesës më të madhe të personave të shoqëruar u ka marrë gjurmët e gishtave.
Dy janë pistat ku po përqëndrohen më së shumti hetimet, atë të përplasjeve mes grupeve kriminale dhe një gjobëvënie të mundshme që mund t’i jetë vendosur 30-vjeçarit, i cili ka kundërshtuar dhe nuk ka paguar.

Dy personat që e shoqëronin Ferracakun mbi kalë, fatmirësisht i kanë shpëtuar më së miri plumbave të kallashnikovit. Dy personat mësohet se janë marrë në ruajte nga Policia e Shkodrës. Ata janë larguar me vrap, duke tentuar të fshihen, nga frika se mos ndiqen nga autorët dhe të ekzekutoheshin si shoku i tyre.

Dy personat, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur, janë shoqëruar me urgjencë në Policinë e Shkodrës, ku janë marrë gjatë në pyetje, në prani të drejtorit të Policisë së Shkodrës dhe vet Ardi Veliut, drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, që mbëriti me urgjencë në Shkodër.