Shkon në 26 numri i të vdekurve në Evropë për shkak të borës

Shërbimi i motit i BBC-së ka paralajmëruar se Evropa do të përballet me më shumë reshje bore këtë javë, pas disa ditësh përmirësimi të kushteve të motit, që kanë marrë edhe dhjetëra jetë njerëzish në kontinent

Moti i keq në të gjithë Evropën ka shkaktuar kaos në udhëtime, ka izoluar qytete dhe ka shkaktuar të paktën 26 viktima. Reshje të tjera bore parashikohen për Austrinë dhe pjesë të Gjermanisë, ku paralajmërimet janë në fuqi që nga java e shkuar. Rreziku i ortekëve mbetet i lartë po ashtu.

Në Alpe, reshjet nuk do të ndalen dhe një numër resortesh për ski janë mbyllur. Por, nuk është aspak më e mirë situata në Ballkan. Reshje bore priten sërish në Greqi, në lartësinë mbi 800 metra.

Bora ka krijuar probleme me qarkullimin ndërkohë në Mal të Zi dhe Bosnje-Hercegovinë, ku janë regjistruar edhe një numër aksidentesh rrugore me të lënduar.