Shqiptarët vetëm në këtë shtet harxhojnë 300 milionë euro në vit për cigare

Rreth tre mijë tonë duhan, ne vlerë mbi 300 milionë euro, është sasia e duhanit që shpenzojnë qytetarët e Kosovës brenda një viti.

Të dhënat e Doganës së Kosovës tregojnë se nga kjo shumë e përgjithshme 200 milionë euro është shuma që përfiton buxheti i shtetit në akcizë, tvsh dhe taksë doganore. Kosova është vend ku mbi 20 përqind e popullsisë janë duhanpirës.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i Doganës së Kosovës Adriatik Stavileci, tha se trendi i importit të duhanit në Kosovë është pothuajse i njëjtë nga viti në vit, por që rritja e akcizës ka rritur edhe koston.

“Importi i duhanit në Kosovë ka një trend të njëjtë nga viti në vit. Rreth 3 mijë tonë brenda vitit importohen në Kosovë. Akciza e duhanit paguhet 43 euro për një kilogram, derisa 18 për qind paguhet tvsh, si dhe taksa e doganës. Nëse mblidhen gjitha këto në të holla i bie se rreth 200 milionë euro paguhen këto shërbime, derisa 100 milionë vetëm duhani”, tha Stavileci.

Shuma prej 300 milionë eurosh, apo 400 mijë pako cigare në ditë ose mbi 20 për qind e popullatës që konsumojnë duhan është tejet e lartë. Kjo tregon për nivel të ulët të vetëdijes së popullatës dhe mungesën e zbatimit të ligjit. REL