Si i ngacmonte nxënëset profesori pedofil në Gjakovë

DKA kishte vendosur që ai të ligjërojë në klasë më të ulëta, Inspektorati i Arsimit dorëzoi deklaratat e nxënësve në Polici

Që nga fillimi i vitit shkollor, nxënëset e klasës 6/2 në këtë shkollë kanë qenë të ngacmuara nga mësimdhënësi i tyre.

B. V, që ligjëronte lëndën e gjuhës shqipe dyshohet të ketë prekur në pjesë të ndryshme të trupit nxënëset e tij.

Përveç kësaj, dyshohet se vazhdimisht u kishte folur atyre me një gjuhë jo të përshtatshme.

Një qasje të tillë, ky mësimdhënës e kishte praktikuar edhe një vit më parë në nxënëset e klasave të nënta dhe teta.

Për këtë, Drejtoria Komunale e Arsimit në Gjakovë kishte marrë masa ndaj mësimdhënësit. DKA kishte vendosur që asokohe ai të jepte mësim në një cikël më të ulët.

Një gjë e tillë është përsëritur prapë. 27 nxënëse në klasën e gjashtë, kishin deklaruar se po ngacmoheshin nga mësuesi i tyre. Për këtë Inspektorati i Arsimit në Gjakovë kishte dorëzuar dosjen me ankesat e tyre në Polici.

Për këtë, Gjykata Themelore në Pejë ka marrë vendim për paraburgim prej një muaji. Prokuroria njofton se ka vazhduar me hetimet.

Ndërkaq, Polica e Kosovës njofton se gjatë vitit 2018 kanë identifikuar 5 raste të ngacmimit seksual në shkollat në Kosovë.