Si të mundni depresionin e dimrit

Dëshpërimi i dimrit, apo çrregullimi afektiv stinor (SAD), është i shpeshtë. Mund t’i prekë njerëzit e të gjitha moshave, duke përfshirë edhe fëmijët.

Sipas Shoqatës së Çrregullimit Afektiv Stinor (SADA), këto shtatë këshilla mund t’ju ndihmojnë ta kaloni më lehtë këtë dëshpërim.

1. Rrini aktiv
Një shëtitje në mes të ditës mund të jetë e dobishme.

2. Dilni jashtë shtëpisë
Dilni jashtë shtëpisë në dritë natyrale sa më shumë që të jetë e mundur, posaçërisht në mesditë dhe në ditë me shumë dritë. Brenda shtëpisë, zgjidhni ngjyra të zbehta që reflektojnë dritën nga jashtë dhe uluni pranë dritares saherë që është e mundur.

3. Mbani ngrohtësinë
Kur keni ftohtë ju ndiheni më të dëshpëruar, pra nëse mbani ngrohtësinë mund të zvogëloni dëshpërimin e dimrit. Mbani ngrohtësinë duke pirë pije të nxehta dhe duke ngrënë ushqim të nxehtë. Vishni rroba të ngrohta dhe mbathni këpucë të ngrohta, mundohuni ta mbani dhomën në temperatura 18-21 gradë Celsius.

4. Ushqehuni shëndetshëm
Ushqimi i shëndetshëm do t’ua rrisë disponimin, do t’ju japë më shumë energji dhe nuk do të shkaktojë rritje të peshës gjatë dimrit. Baraspeshoni nevojën tuaj për karbohidrate, siç janë pastat e patatet, me fruta dhe perime të freskëta e të bollshme.

5. Shikoni dritën
Disa njerëz e preferojnë terapinë e dritës për të lehtësuar depresionin stinor. Një mënyrë për të bërë terapinë e dritës është të uleni çdo ditë për 30 minuta deri në një orë para një burimi drite të fortë.

6. Gjeni një hobi të ri
Ta mbani mendjen aktive me ndonjë interesim të ri duket se mënjanon simptomat e SAD. Mund të jetë diçka si loja me letra, këndimi, thurja, palestra apo mbajtja e ditarit.

7. Takohuni me familjen dhe miqtë
Është vërtetuar se shoqërimi ndihmon në mënjanimin e dëshpërimit të dimrit dhe është i mirë për shëndetin mendor. Mbani kontakte me njerëzit që i doni dhe pranoni ftesat për evente sociale edhe nëse do të shkoni atje vetëm për një kohë të shkurtër.