Sipas Kushtetutës, GRUEVSKIT i merret mandati me automatizëm

Në vend të konstatimit të mungesës së deputetit Nikolla Gruevski për më shumë se gjashtë muaj nga Parlamenti, deputetët po përgatiten për seanca maratonike në të cilat do të diskutohet dhe votohet ndërprerja e mandatit të ish kryeministrit Nikolla Gruevski i cili është arratisur në Hungari.

Pavarësisht faktit se Kushtetuta parashikon ndërprerjen automatike të mandatit të deputetit që mungon pa arsye gjashtë muaj, deputetët kanë kaluar këtë pjesë dhe shkojnë në rrugën më të gjatë sipas të cilës fillimisht propozimi për shkarkim duhet të kalojë komisionin për çështje mandatesh e pastaj të shkojë në seancë plenare ku duhet ti japin mbështetje 80 deputetë.

Sipas nenit 65 të Kushtetutës, është e qartë se mandati i Gruevskit tashmë ka përfunduar, dhe duhet vetëm të konstatohet.

Neni 65 i Kushtetutës

“Deputetit mund t’i merret mandati kur dënohen për vepër penale ose vepër tjetër e cila e bën atë të padenjë për ushtrimin e funksionit të deputetit, por edhe për mungesë të paarsyeshme nga puna e Parlamentit për më shumë se gjashtë muaj. Marrjen e mandatit e konstaton Parlamenti, me shumicë të dy të tretave nga numri i përgjithshëm i deputetëve në Parlament”

Nëse e interpretojmë këtë nen të kushtetutës, rezulton se deputetë duhet vetëm ta verifikojnë dhe formalizojnë detyrën e dhënë me Kushtetutë, që deputetët janë të obliguar ta përmbushin.

Dje kryetari i komisionit për çështje mandatesh Pavle Bogoevski dha dorëheqje nga posti i deputetit dhe kështu komisioni në të cilin duhej votuar për mandatin e ish kryeministri u anulua. Por derisa ti konstatohet dorëheqja, gjëja e fundit që Bogoevski do të bëj është të votojë për marrjen e mandatit të ish kryeministrit në seancë plenare. Bogoevski dha dorëheqje pas skandalit me bisedën e përgjuar që u publikua në rrjetet sociale, në të cilën aludohej se Bogoevski blinte kokainë. Pavarësisht se Bogoevski mohonte të ketë blerë kokainë, dhe thoshte se ka porositur vaj kanabisi për motrën e sëmurë, ai vendosi që të tërhiqet pas reagimeve të shumta në opinion.