Sissoko mendoi se Tottenhami u eliminua nga Championsi, kështu u tallën shokët me të

“Ohhhhh Moussa Sissokoooo”, ky emër është thirrur disa herë në dhomat e zhveshjes nga lojtarët dhe i gjithë stafi i Tottenhamint, për shkak se francezi mendoi se skuadra e tij u eliminua nga Champions League. Kështu, ai humbi gjithë festën në fushë pas vërshëllimës së fundit të gjyqtarit, por jo edhe atë në dhomën e zhveshjes.

Moussa Sissoko ka zbuluar se fillimisht nuk e kishte kuptuar se Tottenhami e kishte arritur gjysmëfinalen në Ligën e Kampionëve, duke besuar se rezultati final ishte 5:3 për Manchester Cityn pas golit të Raheem Sterling nga pozita jashtë loje.

Sterling e kishte dërguar Manchester Cityn në gjysmëfinale për një çast me një gol të shënuar në sekondat e fundit të shtesës, duke e bërë stadiumin Etihad të shpërthejë në festë, por VAR-i e anuloi golin për pozitë jashtë loje, transmeton Gazeta Express.

Si pasojë, përfaqësuesi i Francës Sissoko kishte ikur me vrull drejt zhveshtores duke mbetur shumë i zhgënjyer, derisa një pjesëtar i ekipit të trajnerëve kishte shkuar për t’i treguar se goli ishte anuluar.

“Isha në bankën e rezervistëve kur e pashë golin dhe kur rezultati u bë 5:3”, tha Sissoko për gazetën franceze L’Equipe.

“Isha shumë i mërzitur dhe shkova drejt e në zhveshtore”, shtoi ai.

“Isha i vetëm, askush nuk më shoqëroi, asnjë ekran televiziv nuk e shfaqte ndeshjen”.

“Në kokën time ishim eliminuar. Pastaj erdhi njëri prej anëtarëve të stafit dhe më tha: ‘E pabesueshme, ia dolëm! Unë ia ktheva: ‘Si e bëmë?’ në atë moment, ai më tregoi se goli ishte anuluar”, zbuloi Sissoko.

Sissoko, i cili i ka bërë 40 paraqitje për Tottenhamin në të gjitha garat këtë sezon, ishte detyruar ta lërë ndeshjen në gjysmë për shkak të një lëndimi.

Në dhomën e zhveshjes, ku u bë një festë e çmendur nga mysafirët, dëgjohen gjithë lojtarët dhe stafi duke kënduar “Ohhhhh Moussa Sissokoooo”. /Gazeta Express/