Skaparoti: Me padurim pres të bëheni anëtarja e 30-të e NATO-s

“Mezi presim që Maqedonia të bëhet anëtarja e 30-të e NATO-s”, kështu tha komandanti i Komandës së forcave amerikane në Evropë dhe Komandës së lartë të NATOs për Evropën, Kurtis Skaparoti. Skaparoti, i cili sot vizitoi Shkupin theksoi se NATO-ja njeh progresin e arritur në reformat ushtarake dhe inkurajoi vendin të zgjidh sfidat e mbetura deri në anëtarësim, i cili sipas tij, është i dobishëm për vendin, rajonin dhe gjithë Evropën.

Pa durim presim të japim mbështetje praktike për autoritetet tuaja ushtarake në procesin e anëtarësimit. Jemi të bindur se zgjidhja e këtyre sfidave dhe anëtarësimi i suksesshëm në Aleancë do të jetë jashtëzakonisht e dobishme për ju. Vendi juaj po ndërton një të ardhme të ndritur dhe përparon. NATO mirëpret angazhimin tuaj në demokraci, Sundimin e Ligjit, si dhe në sigurinë dhe stabilitetin e rajonit. Mbështetja juaj e vazhdueshme është e rëndësishme për Ballkanin Perëndimor dhe gjithë Evropën. Pres të bëheni anëtarja e 30-të e NATO-s ”- deklaroi Kurtis Skaparoti, komandanti i Komandës së forcave amerikane në Evropë dhe Komandës së lartë të NATOs për Evropën.

Për Ministren e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska vizita e gjeneralit amerikan dëshmon se vendi ka ndryshuar nga 11 qershori, dita kur mori ftesë për anëtarësim në NATO. Duke theksuar se Qeveria është e përkushtuar ta anëtarësojë vendin në NATO, kërkoi votën e qytetarëve pro Marrëveshjes me Greqinë në referendumin e 30 shtatorit.

Si Qeveri, si Ministri e Mbrojtjes po bëjmë çmos që të sigurojmë progres të pandalshëm të këtij procesi dhe rezultat të suksesshëm. Një nga ato hapa kyç do të jetë referendumi më 30 shtator. Në referendum presim që qytetarët ta njohin interesin e tyre, interesin e Republikës së Maqedonisë dhe të gjeneratave të reja dhe të votojnë pozitivisht. Zgjedhja është e qartë: e ardhme ose izolim; anëtarësim në NATO dhe BE ose edhe një dekadë e humbur ”- tha Radmilla Shekerinska, Ministre e Mbrojtjes.

Realizimi i Marrëveshjes me Greqinë për çështjen e emrit është parakusht që vendi të anëtarësohet në NATO. Respektivisht, anëtarësim i vendit në Aleancë do të jetë e mundur vetëm nëse vendi do të realizojë referendum të suksesshëm dhe ndryshimet kushtetuese, ndërsa Athina të ratifikojë Marrëveshjen.

Anesa Salihu


Komandanti i komandës së forcave amerikane në Evropë dhe komandës së lartë të NATO-s për Evropë, gjenerali Curtis Scaparrotti, sot po qëndron për vizitë zyrtare në Maqedoni.

NATO është mirënjohëse ndaj Shkupit për pjesëmarrjet në misione të ndryshme të Aleancës. Gatishmëria e Shkupit për të marrë lidershipin në misionet në rajon, tregon se është bërë progres. Janë bërë reforma të mëdha drejt rrugës për anëtarësim në NATO. Jemi të bindur se anëtarësimi në NATO do të jetë në të mirë të vendit tuaj, të gjitha vendet që janë anëtare kanë arritur ta rrisin demokracinë”- theksoi Scaparrotti.

Kurse ministrja e Mbrojtjes Radmilla Sheqerinska, tha se vizita e Scaparrottit në Maqedoni tregon se sa kanë ndryshuar gjërat që nga marrja e ftesës për anëtarësim të vendit në Aleancë.