Spiropali paralajmëron: “Furtuna” në drejtori do të vazhdojë!

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka paralajmëruar se pas Afrim Qendros dhe Klodian Gradecit priten të tjera ndryshime.

E ftuar në studion e lajmeve të Ora News, me gazetaren Beti Njuma, Spiropali tha se këto ndryshime janë mëse normale kur ndryshohen ministrat dhe nuk kanë lidhje me skandalin “DH Albania”.

Spiropali: Ndryshimet janë krejt normale në një proces reformimi të qeverisë. Jemi 7 ministra të rinj dhe padyshim do të kemi drejtorë në sektorë të caktuar. Ne besojmë se është bërë shumë punë, por mund të shfrytëzojmë edhe potenciale të tjera. Ndryshimet janë në vazhdën e ndryshimeve që kanë ndodhur dhe besoj do të ndodhin, do të dëgjoni raste të tjera. Puna e atyre që kanë qenë nuk mund të mohohet. Me ndryshimin e ministrave ka lindur nevoja edhe për pjesën tjetër të administratës.  

Spiropali tha se për qeverinë, PPP-të janë një mjet i rëndësishëm për të realizuar projekte në të mirë të qytetarëve, ndërsa opozita synon të godasë këto projekte.

Spiropali: PPP ne i konsiderojmë një mjet të rëndësishëm për të realizuar projektet në të mirë të qytetarëve. Tentativa për ti kriminalizuar PPP është një qasje e dështuar e opozitës që synojnë të godasë projektet që realizojnë. Ka shumë gënjeshtra dhe shpifje, ajo që ne dimë është se PPP do të sigurojë që ne të kemi rrugën e Arbrit në 3 vjet, rrugën Orikum-Llogara, Milot-Balldren dhe një sërë projektesh të tjera që ndryshe nuk do të ishin bërë. Nga analiza që ne kemi bërë për këto projekte, ajo që kanë thënë sot apo edhe dje për rrugën Thumanë-Kashar tregon që ata nuk i kuptojnë ose qëllimisht i deformojnë.