Studentët e Mjekësisë në UP thonë se po dëmtohen përmes grevës

Këshilli studentor i Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” kanë shprehur pakënaqësinë e tyre lidhur me grevën e SBASHK-ut që po e mbështet edhe UP-ja.

Përmes një njoftimi, përfaqësuesit e këtyre studentëve, kanë deklaruar se përkrahin çfarëdo iniciative dhe reagim sindikal në raste të cilat përfshihet rritja e cilësisë së studimeve dhe kushteve studimore.

Thonë se, nuk mund të pranojnë që të dëmtohet interesi i vetë studentëve.

“Shtyrja në afat të pacaktuar e provimeve të afatit të janarit, fillimisht ka krijuar një pakënaqësi tejet të madhe në mesin e studentëve të cilëve po ju pamundësohet e drejta e tyre elementare për t’i paraqitur dhe për t’iu nënshtruar provimeve.”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, studentët kërkuan që të gjendet një zgjidhje e përshtatshme sa më shpejtë që studentët të mos dëmtohen në afatin e provimeve dhe në fillimin e semestrit të ardhshëm akademik.

Këshilli studentor i Fakultetit të Mjekësisë këtë komunikatë ua ka adresuar menaxhmentit të UP-së, SBAShK-ut dhe qeverisë së Kosovës, gjegjësisht kryeministrit Ramush Haradinaj dhe ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi.

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” i ishte bashkuar grevës së Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë me 21 janar të këtij viti, ku edhe ishte vendosur që të shtyhen për kohë të pacaktuar të gjitha aktivitetet akademike dhe administrative.