Sulmohet konsullata e Kosovës në Francë Nga Webmaster Shigjeta.net

Konsullata e Kosovës në Strasbourg të Francës është sulmuar, më ç’rast është vjedhur flamuri i Republikës së Kosovës dhe është shkatërruar stema e shtetit.

Këtë e ka bërë të ditur konsulli i Kosovës atje, Edon Cana, në rrjetet sociale, përcjell albinfo.ch.

“Gjatë vikendit është sulmuar Konsullata e Përgjithshme në Strasbourg dhe është vjedhur Flamuri i Republikës dhe është shkatërruar Stema e Shtetit”, ka shkruar Cana.

Ai ka thënë se “simbolet e Shtetit të Kosovës i pengojnë armiqve tanë!”. “Duke i falënderuar autoritetet franceze për mbështetjen e tyre jemi të bindur se mbas forenzikës së bërë sulmuesit shpejt do të gjinden”, ka përfunduar ai.

Këtë akt e ka dënuar edhe Qeveria e Kosovës. “Republika e Kosovës është shtet sovran që respekton ligjet dhe të drejtën ndërkombëtare dhe vepron me përgjegjësi në marrëdhëniet ndërkombëtare si një faktor i rëndësishëm i paqes dhe stabilitetit. Qeveria e Republikës së Kosovës, shpreh indinjatën e thellë ndaj këtij akti dhe duke vlerësuar angazhimin e menjëhershëm të organeve franceze, kërkon nga ato që të zbulojnë dhe të kapin autorët si dhe t’i nxjerrin ata përpara drejtësisë”, thuhet në reagim.

Loading...