Surroi e përqeshë Thaçin dhe e quan “copë injoranti”

Publicisti dhe kritiku i ashpër i Hashim Thaçit, ka publikuar një opinion të tijin ku flet për rreziqet nga nisma e presidentit për procesin që ai e quan “korrigjim kufiri”.

Duke mos shfaqur as respektin më të vogël për Presidentin Thaçi, Surroi atë e quan të padijshëm e copë injoranti, përderisa ka numëruar nismat e tij në të kaluarën që kanë dështuar.

Surroi me cinizëm shkruan se Thaçi ka një pasion për korrigjime. Ai përmend rastin e dështuar kur Thaçi synonte ta shndërrojë në ushtri Forcën e Sigursë së Kosovës.

“Hashim Thaçi ka krijuar një pasion për korrigjime; ka një vit e ca që merret me to intensivisht. Para një viti filloi me korrigjimin e Forcave të Sigurisë të Kosovës, Doli një ditë para kamerave, tha se kishte në duar ligjin me të cilin e shndërronte FSK-në në ushtri, që ai e quajti FAK (Forcat e Armatosura të Kosovës) dhe premtoi se nuk kishte bir nane që do ta ndalte këtë transformim. Po, ç’është e vërteta, shtoi se këtë veprim, s’do mend e s’do dyshuar, po e bënte në koordinim të plotë me SHBA-në. Doli të ishte një aventurë”, ka shkruar Surroi në opinionin e publikuar në koha.net, shkruan Periskopi.

Ndërsa, e përqeshë për faktin se në ligjin të cilin e prezantoi Thaçi kur donte ta bënte FSK-në ushtri, kishte edhe një nen jo aq të zakonshëm.

“Nuk u pritën as disa ditë për t’i thënë nga SHBA-ja dhe NATO-ja, Thaçit e Kosovës, se ky “korrigjim” nuk kishte gjasa të kalonte; duheshin ndryshime kushtetuese dhe një ecje e mëtejme reformuese. Për më tepër, ligji të cilin e prezantoi Thaçi ka gjasa të shndërrohet në objekt leximi komik në akademitë e mbrojtjes në botë: është i vetmi ligj për ushtri, prej se ka ligj për ushtri, ku përcaktohet se roja e një objekti ushtarak obligohet të bërtasë “Ndal!” dhe nëse urdhri i tij nuk përfillet ka të drejtë për të shtënë në ajër. Ky ligj ka seriozitetin e njëjtë sikur Kushtetuta e Amerikës të përcaktojë se hamburgeri me kaçkavall do të quhet cheeseburger”, shkruan Surroi.

Surroi përmend edhe dështimin e Thaçit për ta shfuqizuar Gjykatën Speciale.

“Pas përpjekjes pranverore për korrigjim të ushtrisë erdhi ajo dimërore për korrigjim të Dhomave të Veçanta (apo Gjykatës Speciale, Gjykatës Marty, sido që të quhet). Me të shpejtë, ndërsa diplomatët perëndimorë niseshin të zinin aeroplanët për në pushimet e Kërshëndellave, Thaçi u përpoq të kalojë me një “korrigjim” të Ligjit të Gjykatës Speciale, në mënyrë që ajo të mos bëhej Gjykatë Speciale, por një më shumë në listën e gjykatave të Kosovës në të cilat Thaçi mund të ushtrojë njëkohësisht rolin e prokurorit dhe të trupit gjykues. Edhe kjo doli të jetë aventurë”, shkruan ai.

Duke e quajtur copë injoranti Presidentin Thaçi, Surroi e papërshkruan atë si të papjekur politikisht. Veprimet e tij i quan “çapkënëri” dhe “budallallëqe”.

“Nëse i ka kaluar të gjitha ato pa ferrë në këmbë, kush do ta pengojë në aventurën e re, atë të korrigjimit të kufijve, të cilën, siç po shihet po e zhvillon pa përkrahje të shumicës shqiptare? Tjetri është besimi se ndonëse Hashim Thaçi tregon mosdije (eufemizëm për atë që në Shqipëri quhet një copë injoranti), dikush, diku, do të bëjë që të mos gabohet. Besimi mbështetet tanimë në instinktin e adoleshentit kosovar të krijuar në protektorat, se dikush më i rritur, më i pjekur, do të jetë gjithnjë aty për të korrigjuar çapkënëritë dhe budallallëqet e drejtuesve të shtetit, me arsyetimin se bëhet fjalë për shtetin e ri. Që të dy faktorët vazhdojnë ta përkrahin, deri më sot në aventurën e radhës”, shkruan Surroi. /Periskopi/

 

Loading...