Takimi i liderëve irriton Aleancën për Shqiptarët

Takimi i liderëve irriton Aleancën për Shqiptarët

Tentim i Qeverisë për të përçarë opozitën. Kështu e vlerësojnë në partinë e Selës vendimin e kryeministrit që në takimin e liderëve të ftojnë liderin e Besës opozitare Bilall Kasamin. Aleanca për shqiptarët madje kërkon nga partia e Kasamit të mos bien pre e konstruksioneve të pushtetit, njofton Alsat-M.

“Aleanca për Shqiptarët nuk ka komplekse të vogëlsisë e as ndonjë delir madhështie. Rolin e saj në skenën politike e kanë vulosur vetë votuesit shqiptar në zgjedhjet e fundit dhe kompaktësia e strukturës së ASH-së dhe jo “hesapet” e koalicionit ” bratsvo edinstvo” të LSDM-BDI-së. Ne nuk do të bëjmë luftë të pakuptimtë se kush është udhëheqës i opozitës, sepse udhëheqës për ne janë problemet me të cilat përballet opozitari i vërtetë e që është shqiptari i zakonshëm. Kjo është lojë me logjikën përçaj e sundo e kryesisë së BDI- së dhe aleatëve të tij e ngjashme me lojërat e periudhës para zgjedhjeve të 2016, dhe pas zgjedhjeve të 2017. Ne vetëm bëjmë apel tek ata që i thonë vetes opozitar mos bëhen pre e konstruksioneve të kësaj garniture që ka uzurpuar lirinë dhe demokracinë brenda shqiptare tash e 16 vite.” thuhet në kumtesën e kësaj partie.

Ndërsa zëdhënësi i partisë së Selës Flakron Bexheti në rrjetin social Fejsbuk ka shkruar se me mungesën e Aleancës në këtë takim, është shkelur vullneti i popullit. Ai madje përmendi edhe rezultatin e zgjedhjeve lokale, duke aluduar në atë që subjekti që ai përfaqëson, numëron vota më shumë se BESA e cila dje e përfaqësonte opozitën në takimin e liderëve.