Temperaturat e larta rrisin numrin e sëmundjeve mendore

Temperaturat e larta shihen nga ekspertët si ndikuese në gjendjen fizike dhe psikologjike të njerëzve, e për pasojë, kjo është periudha kur problemet e shëndetit mendor sa vijnë e rëndohen.

Ato vijojnë të thonë se numri i personave që kërkojnë ndihmën e mjekut psikiatër, shihet në rritje kryesisht gjatë verës.

Psikologia Adela Lamçe thotë për Top Channel se në spitalin psikiatrik “Sadik Dinçi” në Elbasan paraqiten çdo ditë 20-50 raste të referuara nga qendrat komunitare. Ajo shton se në këtë periudhë të vitit, personat që shfaqin shenja të stresit, ankthit e depresionit duhet të bëjnë kujdes akoma dhe më të veçantë.

Shqipëria nuk ka studime të mirëfillta për numrin e pacientëve të prekur nga këto sëmundje, por referuar të dhënave në sistemin shëndetësor parësor, në një vit kryhen mesatarisht 15.000 vizita.