Tërmeti në Indonezi, izolohen 700 turistë në malin vullkanik

Afro 700 persona kanë mbetur të bllokuar pranë një mali vullkanik në një ishull turistik të Indonezisë pasi vendi u godit nga një tërmet me magnitudë 6.4 të dielën.

Qindra punonjës të skuadrave të shpëtimit po përpiqen t’i evakuojnë ata nga mali Rinjani, një destinacion popullor alpinizmi. Tërmeti i magnitudës 6.4, u regjistrua të dielën, me epiqendër jo larg bazës së malit. Të paktën 16 persona kanë humbur jetën dhe më shumë se 160 të tjerë janë lënduar nga tërmeti. Helikopterët dhe skuadrat e kërkimit në këmbë, po kërkojnë përreth malit për të lokalizuar alpinistët e bllokuar.

Mijëra shtëpi janë dëmtuar dhe qindra të tjerë kanë mbetur pa shtëpi ndërsa dridhje të tjera toke pasuan duke shkaktuar panik në Lombok dhe ishullin e afërt të Balit.

Një turist malajzian që ndodhej në një udhëtim drejt malit Rinjani, është mes viktimave. Një tjetër alpinist i ri indonezian po ashtu është vrarë nga shkëmbinjtë e shkëputur nga mali. Alpinistë nga Franca, Tajlanda, Holanda dhe Malajzia janë mes atyre që presin të evakuohen nga mali Rinjani.

Sipas zëdhënësit të Agjencisë Kombëtare të Menaxhimi të katastrofave të paktën 689 persona kanë mbetur të bllokuar në lartësinë e 3,726 metra mbi nivelin e detit pas tërmetit të fuqishëm, raporton CNN.

Indonezia është e ekspozuar ndaj tërmeteve pasi gjendet në atë që njihet si unaza e zjarrit, një linjë tërmetesh dhe shpërthimesh të shpeshta vullkanike që rrethon brigjet e paqësorit.

Më shumë se gjysma e vullkaneve aktivë të botës nën nivelin e detit janë pjesë e kësaj unaze. Në 2004, një tërmet nënujor pranë brigjeve të provincës Aseh, vrau më shumë se 160 mijë njerëz vetëm në Indonezi.

Loading...