Thaçi i kërkon falje publikisht gazetarit Gashi, të cilin e ofendoi në konferencë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka kërkuar falje gazetarit të Kohës Ditore, Fitim Gashit dhe të gjithë atyre që janë fyer nga deklarimi i tij i djeshëm në konferencën për media, teksa iu drejtua Gashit “unë në emër të Vuçiqit sikur që flisni ju nganjëherë nuk mund të flas”, raporton Periskopi.

Thaçi ka shkruar në Facebook se qëllim i tij nuk është fyerja e gazetarëve, për të cilët thotë se janë një nga shtyllat më të rëndësishme të demokracisë.

“Në konferencën e djeshme u krijua një keqkuptim gjatë bashkëbisedimit që kisha me gazetarin e “Kohes Ditore”, Fitim Gashi. Unë i kërkoj falje Fitimit dhe të gjithë atyre që kanë mundur të ndihen të fyer gjatë kësaj konference për shtyp, por ky nuk ka qenë dhe asnjëherë nuk do të jetë qëllimi im. Në rrugëtimin tim prej dy dekadave në politikë gjithmonë kam ruajtur respektin për punën e gazetarëve, si një nga shtyllat më të rëndësishme të demokracisë”, ka thënë Thaçi.

Tutje ai është deklaruar edhe për konferencat e shpeshta për media që i ka mbajtur gjatë këtij muaji.

“Faza e fundit e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një proces i ndejshëm dhe historik për Kosovën. Për të gjithë gazetarët, mediumet dhe përmes tyre qytetarët e Kosovës, ky do të jetë një proces i hapur. Për të rritur transparencën dhe mënjanuar keqkuptimet dhe keqinterpretimet, këtë muaj kam mbajtur konferenca të shpeshta për media, për të dhënë sqarimet e nevojshme. Dua t’i falënderoj të gjitha mediat dhe gazetarët në Kosovë, që në javën e fundit janë duke përcjellë me profesionalizim procesin e dialogut. Në këtë bashkëbisedim me gazetarët, gjithmonë mundohem të jem i hapur dhe natyrisht përgjigjem në çdo pyetje dhe dilemë të tyre – që janë të lidhura me dilemat e qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar Thaçi.

Tutje, ai thotë se i inkurajon të gjithë gazetarët që mos të ndalen të zhurmojnë, të pyesin, të ngritin dilema për të gjitha temat që janë të interesit nacional./Periskopi