Thaçi: Vuçiqi po sheh ëndrra, nuk e ka lehtë të ballafaqohet me Kosovën e pavarur

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një konferencë për media ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi.

Për këtë proces Thaçi ka thënë se në Bruksel kanë paraqitur qëndrimin se Kosova është ne favor të dialogut, mirëpo edhe qëndrimin se ky proces duhet të përfundojë më njohje recriproke.

“Normalizimi i raporteve, njohja reciproke, paraqet paqe dhe stabilitet per tërë Ballkanin. Edhe pas takimit te djeshëm është vlerësim se pavarësisht vështirësive dhe situatave te komplikuara, mes Kosovës dhe Serbisë, ende ekziston vullneti që ky proces të vazhdojë, dhe në muajt e ardhshëm të arrihët marrëvëshja që do të perfshinte njohje”, ka thënë i pari i shtetit, raporton lajmi.net.

Thaçi tutje foli në veçanti për takimin e djeshëm me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Takimi i djëshëm ishte më i shkurti në 6 vitet e fundit. Nuk është lehte te flitet me serbin Vuçiq që mendon që Kosova është pjesë e Serbisë, kjo është një ëndërr. Ky pozicion i Vuçiq është larg realitetit. Kosova është vend sovran dhe i pavarur, kushdo që vjen në pushtet në Serbi duhet ta kuptojë këtë”, deklaroi Thaçi.

Thaçi ka shtuar se Kosova po punon që kjo situatë të mos kuptohet si një proces për ta mundur njëra tjetrën.

Ai tha se për Kosovën fitorja më e madhe është përshpejtimi i anëtarësimit nëpër organizata ndërkombëtare.

“Duhet të punojmë për një marrëveshje, dhe duhet të sakrifikojmë për arritjen e një marreveshje përfundimtare. Ne kemi vendosur qe ky dialog të vazhdojë për hir te se ardhmes së sigurtë të të dy vendeve. Më mirë te negociojmë me këto vështirësi se sa ti ndodhë dikujt një e keqe. Procesin e ardhshëm, unë shoh se do të kemi pengesa dhe vështirësi edhe më të mëdha nga ana e Serbisë, mirëpo ne mbajmë shpresa për arritjen e një marrëveshjeje. Unë uroj që ditët dhe javët e ardhshmë të punohet së më shumë për arritjen e një marrëveshjeje. Nëse nuk arrihet marreveshja ideologjitë jopërendimore do ta përdorin në mënyrë të tmerrshme atë gjendje të krijuar”, ka deklaruar Thaçi.

Ai ka thënë se nuk është e lehtë as për Vuçiqin ta dëgjojë se Kosova është e pavarur, mirëpo ai tha se duhet të flasim me realitete dhe jo me mite.