U dogj kur ishte foshnje, 20-vjeçarja do bëjë transplant fytyre

Një 20-vjeçare që pësoi djegie të tmerrshme kur ishte bebe do bëjë transplantim fytyre në Turqi.

Leyla Demirci ishte vetëm 1 muajshe e gjysmë kur u dogj në fytyrë. Nëna e saj sapo e kishte larë dhe e kishte vendosur në krevat të mbështjellë me copë.

Ndërkohë kushërinjtë e Leyla po luanin me zjarr në dhomë dhe papritur i vunë flakën copës me të cilën ishte mbështjellë ajo.

Dhe pas 20 vitesh, vajza kërkoi ndihmën e Presidentit Rexhep Tajip Erdogan për të bërë transplantin dhe ministri i shëndetësisë në një postim në Twitter dha mbështetjen e tij për realizimin e operacionit që do i ndryshojë jetën Demircit.

“Leyla, vajza që pret të bëjë transplantim të fytyrës, po mjekohet nga Prof. Dr. Omer Ozkan. Mbështetja që i nevojitet në këtë proces do t’i ofrohet nga Ministria jonë. Unë do monitoroj nga afër gjendjen e vajzës sonë dhe i uroj mirëqenie e shërim,”-tha ministri i Shëndetësisë, Fahrettin Koca.

Deri më tani, mjeku Ozkan ka realizuar pesë nga shtatë transplantimet e fytyrës të realizuara në Turqi.