Unë jam k**vë, po ti çfarë je?!

Nga Erjona Rusi

S’kam për ta harruar herën e parë që e dëgjova këtë fjalë nga aq afër, më tingëlloi pisët mu tek veshët e mi. Sa kisha filluar gjimnazin dhe ecja me Anën jashtë rrethimit të shkollës kur një djalë u afrua dhe e kapi fort për dore. “O rrushi, sa e mirë qenke mi! Ndalu i çik shpirti”. Ana ishte një kokë sipër meje, e hollë e me ca kaçurrela të gjata të zeza, një nga ato vajza që nuk mund të mos binte në sy. Po përtej bukuroshes, kishte një karakter që ia kisha zili, e mbase dhe arsyeja që rrija me të.

Ia hoqi dorën me vrull, e nuk ia përtoi: “Ik ore më lër rehat” dhe ia shkelëm të frikësuara që të dyja shumë shpejt. Ai gjatoshi me një theks të çuditshëm, na qëlloi gjithashtu shpuzë: “Po ik mi ku..ë, se gjej sa t’dush si ti”. Ajo fjala s’më hiqej disa kohë nga truri, se nuk ia dija mirë kuptimin dhe duke parë Anën që thuajse u zverdh atë ditë, nuk e përmenda kurrë atë episod.

Ca vite më vonë, në fakultet, kur ia kisha mësuar disi kuptimin fjalës, them disi se njerëz të ndryshëm i japin kuptime të ndryshme, e dëgjova prap, po aq afër. Vetëm se kësaj here nuk më tingëlloi pisët, por mu ngritën nervat. Anjeza ishte vajza më seksi e grupit, vishej gjithmonë me shumë shije dhe veshje të shtrenjta, ndonjëherë edhe pak të ekzagjeruara (në këndvështrimin tim) për në auditor por gjithësesi i shkonin me atë qëndrimin e çuditshëm, gjoksin përpara e vithet pas.

Me thënë të drejtën, shumë e kishin zili për stilin dhe sensualitetin, por mbase edhe për pasurinë që ia mundësonte të vishej në atë mënyrë. Unë isha ulur disa herë në kafe me të dhe kisha kuptuar që brenda atij trupit seksi kishte dhe një mendje goxha interesante, me ato idetë e qarta që nuk i bëhej vonë se çfarë thonin të tjerët e që nuk kishte pse ti jepte llogari kujt për jetën apo stilin e saj.

E kishim parë që kishte një të dashur që shpesh e merrte nga shkolla dhe ajo thoshte se kishin vite bashkë e ishin shumë mirë me njëri tjetrin. E kur nja 2 djem, po flisnin në një tavolinë me disa nga të shkollës, më tingëlloi prap ajo fjalë, ndërsa dëgjova pëshpëritjen e njërit: “Ik mo pash Zotin, se ajo është kokrra e kur…”.

Kjo ishte përgjigjja për fjalinë që sapo i kishte thënë tjetri “Erdhi kjo seksi”. Dhe në fakt, vura re se Anjeza sapo kishte hyrë në lokal. U përtypa, doja të flisja por biseda qe mes tyre, ndërkohë ajo po afrohej. U nxiva e u inatosa se fjala kësaj here nuk përshtatej gjëkundi me kuptimin që më kishin mësuar.

“Ajo kur.. do t’mi marrë kalamajtë” –më pati thënë njëri që ishte dënuar për dhunë brenda familjes dhe po bisedonim pasi i kisha kërkuar një intervistë. Po më fliste gjithë tërcëllimë dhe unë isha shumë kurioze të dija se pse e kishte dhunuar e çfarë mendonte.

Që mos të keqkuptohemi, nuk bëhet fjalë për kuriozitet morboz nga ana ime, por gjithmonë kam menduar që kjo beteja me dhunën, duhet nisë që në gjenezë e jo thjesht të merremi vetë me trajtimin e viktimave. “Prit, prit, mos fol ashtu se është nëna e kalamajve të tu.

S’ti ka marrë, po thjesht nga frika se mos i rrahësh edhe ata, po ti mban larg. Mbaroje shërbimin e provës dhe po ke tru në kokë, rregulloji gjërat”-i pata thënë. Ajo “kur..”, ishte gruaja me të cilën kishte 3 fëmijë, kishte qëndruar me të gati 15 vite, shumë prej të cilave me sherr, pije, bixhoz e në fund edhe dhunë. Dhe tani ajo na kërkonte kujdestarinë e fëmijëve në gjyq.

Të gjitha këto mi pohoi vetë ai, sepse ish të shoqen, nuk e takova kurrë. Pasi ika mendova, çfarë gruaje e tmerrshme. Si guxonte të kujdesej për fëmijët, kur babai ishte ende gjysmë i pirë, pa punë, pa kokërr leku dhe mbi të gjitha gjithë mllef brenda tij. Më erdhi keq e kësaj here kur e dëgjova atë fjalë dhe ndjeva një lloj mëshire për injorancën e këtij burri të mjerë që nuk kuptonte se kishte shkatërruar gjënë më me vlerë nga pikëpamja sociale, që mund të krijojë qenia njerëzore, familjen.

Ndërsa vdekjen e asaj, nuk kam për ta harruar kurrë deri sa të vdes vetë, ose deri sa të kem dy pare mend në kokë. Lajmi bëri bujë të madhe në atë kohë për shkak të rrethanave e nuk besoj që nuk ka njeri që nuk e mban mend. Ai e kishte mbytur dhe lënë në një apartament, ndërsa rrëfeu vrasjen e saj vetëm përmes një letre të shkruar para se ti jepte fund jetës së tij.

Po ndryshe nga ajo, ai ishte i martuar e me fëmijë dhe 36 vite më i madh në moshë. Dhe po ndryshe nga vdekja e saj që ai kishte zgjedhur ta bënte sa më torturuese duke e mbytur, vetes i kishte futur një plumb. E kur i përcollën për në banesën e fundit, atë, burrin e shkretë e të mashtruar prej dashnores së re, të bukur e “magjistricë”, e përcollën i madh e i vogël.

Ndërsa ajo ishte “kurva”, gjithnjë sipas komentuesve mendje ndritur, që kishte tentuar ti shkatërronte familjen një burri të ndershëm, ndaj nuk meritonte as edhe një grusht dhe. Dhe kështu, askush nga fqinjët apo fshati nuk shkoi ta varrosë vajzën, veç një grup i vogël familjarësh të afërm. Sepse turpi kishte mbuluar të gjithë puritanët dhe shenjtorët e fshatit.

Kësaj here kur e pashë fjalën “kur..” të shkruar diku nëpër komentet e lajmit, ndjeva thjesht një neveri të madhe, gati gati një përzierje në stomak që s’po duroja deri sa ta pështyja fort. Neveri për një popull tru-shpërlarë nga Sadnat apo Hatixhet e telenovelave që përbëjnë ekstazën e tij maksimale të ditës, për një popull injorant që nuk arrin dot të bëjë dallimin mes vrasësit dhe viktimës, e përtej gjithçkaje të arrijë të dënojë një krim.

Neveri edhe për një popull fatkeq që ushqehet çdo ditë me llum e përbaltje “kurvash” politike (dhe këtu nuk e kam fjalën aspak për gratë, të kuptohemi, megjithëse ka dhe mes tyre).

Por përtej historive e rrethanave, një gjë kanë të përbashkët këto gra e shumë të tjera si ato. Po të kishit mundësi ti takonit, pa pikë turpi, qetë fare, dhe pa iu trazuar aspak stomaku do kishin guximin tua përplasnin në fytyrë: Po! Jam kurvë, po ti?

P.S: Mbase pas këtij shkrimi do të kuptoni edhe emrin e bitchmagazine. Gjithësesi, të gjitha ngjarjet e mësipërme janë reale, përveç emrave natyrisht.