Uran Ismaili e ka suspenduar mjekun që e kishte kritikuar publikisht

Dje ministria e Shëndetësisë, ka marrë vendim për suspendimin e tre mjekëve nga puna në QKUK. Arsyetimi për këtë vendim, kishte qenë inspektimi në repartet e QKUK-së, ku thuhet se të tre mjekët nuk kishin qenë fare në vendin e tyre të punës.

Ndër mjekët e suspenduar është edhe Shefi i repartit “ B”, të Klinikës së Urologjisë në ShSKUK, Dr. Sci. Isa I. Haxhiu.

Përmes një letre të dërguar, Haxhiu e ka quajtur si politik dhe hakmarrës vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Ai ka thënë se ministri Uran Ismaili, e ka marrë vendimin për suspendimin e tij, për arsye si thotë ai: të një letre dërguar atij para disa muaj, duke raportuar për keqpërdorimet që bëhen në sektorin e shëndetësisë dhe mospërmisimin e gjendjes në këtë sektor, ashtu siç thoshte ministri Ismaili.

Sjellim letrën e Isa Haxhiut, drejtuar ministrit Uran Ismaili, ku në të jepen kritika të ashpra ndaj punës së ministrit Ismaili.

Në këtë letër, të dërguar në qershor të këtij viti, Isa Haxhiu, kishte prezantuar gjendjen e rëndë në klinikën ku ishte duke punuar, duke e demantuar ministrin Ismaili, për pohimet se kjo klinikë është përmirësuar pas ardhjes së tij në këtë funksion.

Kjo është letra e plotë pa ndërhyrje e doktorit Isa Haxhiu, drejtuar ministrit Ismaili, në qershor të këtij viti

“ Njerëzit e sakrifikojnë të tashmen për të ardhmen. Por jeta është e mundshme vetëm në të tashmen”, Thich Nhat Nah

I nderuar zoti Ministër i Shëndetësisë, z. Uran Ismajli

U bë gati një vit nga koha kur ju keni marrë nën administrim Ministrinë e Shëndetësisë dhe ndonëse premtimet tuaja kanë qenë dhe mbeten mjaft të admirueshme; lik-et nëpër Facebook dhe rrjetet virtuale nuk ju kursehen , sa herë që komunikoni me publikun virtual ( dhe për fat të keq ju në të shumtën e rasteve komunikoni vetëm kështu), arritjet reale në këtë dikaster jo vetëm që janë nën pritshmëritë , por ato ju demantojnë e ju nxjerrin bojën juve dhe virtualitetit tuaj.

Ju, zoti ministër, që nga ardhja juaj , në krye të këtij dikasteri, keni premtuar shumë gjëra: që nga përmbushja dhe zbatimi i sigurimeve shëndetësore e gjer te nivelizimi i pagave dhe rritja e tyre për profesionistët shëndetësor; që nga sigurimi i mbi 90 % i barërave esenciale e deri te margaritari i fundit, blerja e aparaturave në vlerë prej 50 milionë euro për spitalet dhe klinikat e ShSKUK-ës, por në vend të tyre sot më e gjatë se kurrë është lista e blerjes së barërave dhe materialit sanitar që u përshkruajmë pacientëve për të blerë, në mënyrë që të arrijnë të futen në operacion dhe dinjiteti e jeta e mjekëve dhe infermierëve, kurrë më shumë i nëpërkëmbur e më i rrezikuar !

Sot si asnjëherë tjetër, pacientët tanë janë të detyruar të blejnë edhe gjërat më elementare, që nga dorëzat e gazat; infuzionet e antibiotikët; analgjetikët e antiemetikët, por ata janë të detyruar të blejnë edhe mantila dhe kompresa për veshje të personelit e mbulim të tyre, në sallat e operacionit, gjë që nuk ka ndodhur as në luftë, sepse në spitalin e Mollopolcit, atje ku isha gjatë saj, të gjitha këto kishim arritur t ‘i siguronim dhe pacientët nuk blinin asgjë për trajtimin e tyre! Atje kurrë s ka ndodhur, edhe pese në kushte lufte, që pacienti të mos operohet , pra të bie nga programi operator, për shkak të mungesës së një ampule Fentanyl (që nuk kushton as 2 euro), ashtu siç ngjanë sot, më shumë se katër here, vetëm që nga filliviti e gjer më sot ! Sot , si asnjëherë tjetër mjeku dhe infermieret janë të nëpërkëmbur e të poshtëruar , sa nga pagat mizerabel të tyre ( 650 Euro një specialist dhe doktor shkence, me mbi 40 vjetë vjetë përvojë, në kohën kur pastruesi në Postë dhe KEK ,marrin më shumë se kaq!), por edhe të rrrezikuar , në përballje me mungesat e shumta që kanë shërbimet shëndetësore dhe “pakuptueshmëria” nga familjarët e tyre, duke i fyer , sulmuar e rrahur ( shiko raportet e fundit për dhunën ndaj mjekëve dhe infermierëve ), duke i bërë fajtorë për gjithçka, ata dhe vetëm ata, ndoshta edhe për shkak të paraqitjeve tuaja virtuale , se gjithçka lulëzon në shërbimet shëndetësore , ndonëse realiteti ju demanton katërciprisht !

Zoti ministër, duke ju dëgjuar nëpër mediat publike ( televizione e radio) dhe duke ju parë e lexuar nëpër mediat virtuale, gjëja e parë që më ka shkuar ndërmend ishte kjo: Ju ose realitetin e jetoni vërtetë, vetëm virtualisht ose dikush po ua shtrembëron atë aq shumë sa që vërtetë keni filluar të besoni, se ky është realiteti ! Por, realiteti nuk jetohet vetëm nga të dëgjuarit, atë , para së gjithash duhet parë dhe prekur, pra duhet ndjerë për së afërmi . Ju, asnjëherë nuk keni vizituar ndonjë klinikë, spital apo repart, pra nuk keni ardhur për të biseduar me ne, të cilët për çdo ditë përballemi me realitetin dhe jo virtualitetin tuaj , për t ua treguar listat të cilat për çdo ditë u japim pacientëve , për të blerë edhe gjërat më elementare; për të parë se në çfarë kushtesh punojmë e operojmë ( një kirurg gjerman , Italian , francez edhe nën kërcënimin me jetë s do kishit mundur ta detyronit të operonte , siç operojmë ne ( pa ajrosje të sallave , pa respektim të zones së gjelbër , sepse në sallat ku unë punoj , pacientët dhe civilët defilojnë në zonën e gjelbër, meqë shërbimi i ESËL, ai i cistoskopisë dhe salla e Endourologjisë kanë një hyrje!),për ta jetuar realitetin e mungesave të 10 apo 20 % të barërave dhe materialit sanitar dhe jo atë virtual tuajin, mbi 90 %!

Zoti ministër, “realiteti “ virtual i juaji , NUK është realiteti të cilin ndoshta mendoni se keni realizuar dhe po e realizoni , sepse e di se rreth vetës suaj keni një grumbull këshilltarësh të cilët jo vetëm që s kanë lidhje me shëndetësinë ( për shkak të kënaqjeve të interesave partiake), por për fat të keq edhe disa nga ata që kanë lidhje dhe përditë e jetojnë realitetin e vërtetë, duket ua fshehin, ua zbukurojnë , sepse shumë nga ta luajnë rolin e lakejve tuaj, por jo edhe bashkëpunëtorëve e miqve tuaj të vërtetë, ndaj edhe ua servirin në formë dhe dritë të shtrembër. Jo vetëm kaq , shoh edhe shumë mjekë, kolegë të mi të cilët e jetojmë këtë realitet, çdo paraqitjes suaj në fejsbuk, i shton një like dhe ju “përgëzon” e “ trimëron” për arritjet tuaja dhe prej këtu shoh se sa lajkatarë , të squllët e të padinjitetshëm jemi, sepse të gjithë e jetojmë këtë realitet por e fshehim e e shtrembërojmë, për t ua bërë qejfin juve dhe këshilltarëve tuaj dhe gjithë suitës që keni pas!

Megjithatë unë shpresoj se kjo letër e imja e hapur do ju bëjë të reflektoni, të zgjoheni nga ëndrra juaj virtuale dhe të filloni ta shihni e ta prekni vetë realitetin,pa u mashturuar edhe më, nga llajkat dhe lajkat e të gjithë atyre që u qëndrojnë afër, derisa të jeni në pushtet , por që nesër do ua kthejnë shpinën dhe do u thonë se ju ishit përgjegjës për gjithçka !

Ju keni premtuar dhe ndoshta edhe përpiqeni të realizoni projektet e mëdha për shëndetësinë, në të ardhmen, por unë ju ftoj që të ralizoni projektet e vogla dhe të prekshme sot, për pacientët dhe për ne , personelin shëndetësor , sepse kështu jeni duke sakrfikuar ”… të tashmen për të ardhmen . Por jeta është e mundshme vetëm në të tashmen”( Thich Niht Nah). Pra, unë preferoj ta jetojmë dhe ndryshojmë realitetin e tanishëm, sepse e ardhmja është e pasigurt, ndërsa e kaluara nuk kthehet më !

Miqësisht, Dr. Sci. Isa I. Haxhiu, shef i repartit “ B”, të Klinikës së Urologjisë në ShSKUK