Vettingu duhet edhe në Maqedoni!

Nga Alpin OLLOGU/INA

Reforma në drejtësi është kushti thelbësor për anëtarsimin e R. Maqedonisë në Bashkimin Evropjan. Ngritja e shtetit të së drejtës, gjykata të paanshme, të drejta dhe efikase, prokurori të pakorruptuar dhe të pakompromistë në luftën kundër kriminalitetit, janë themelet e drejtësisë, mbrojtës së individit dhe interesit publik.

Sipas statistikave të bëra nga institute kompetente ndërkombëtare, R. Maqedonisë ka një ndër sistemet më të korruptuara të gjyqësorit dhe prokurorisë në Ballkan, fakt i cili u dëshmua  nga skandali i përgjimeve.

Politika dhe njerës me influencë qeveritare, montonin procese gjyqësore, emëronin gjykatës me urdhëra të drejtëpërdrejta, stisnin aktgjykime sipas interesit, blenin gjykatës dhe prokurorë me presionin e shkarkimeve dhe emërime pozicionesh. Të njejtët gjykatës dhe prokurorë që sot akoma vazhdojne detyrën.

Skandali i përgjimeve, dëshmoi ajo që dihej në popull, se sa i kalbur është sistemi i drejtësisë. U dëshmua  se nëpër gjykata kalojnë kriminelë të cilët në fund të proceseve mbesin të pafajshëm. Se si personat e fuqishëm nëpërmjet parasë dhe forcës politike, kalojnë cdo pengesë ligjore që sanskionon punët  e tyre të dënueshme penalisht ose në cështjet civile, gjithmonë në dëm të palës së pafuqishme ekonomike – politike, viktimë e kësaj drejtësie të kalbur, gjithashtu edhe në dëmin e buxhetit të shtetit, për keqpërdorimin e detyrës zyrtare, krimet e evazioneve fiskale, tenderimeve të manipuluara, e të tjera. Duke vazhduar me padrejtësitë në aktgjykime, kur është në pyetje përkatësia etnike dhe fetare, krijimi i krizave të montuara etnike për interesa politike të forcave të caktuara qeveritare.

Në këtë kontekst, reformimi i sistemit të drejtësisë është gjëja më madhore që mund të bëjë qeveria e Maqedonisë, me bindje se kjo reformë mbështetet nga shumica e popullatës, viktima e drejtpërdrejtë apo tërthorazi e këtij sistemi të fundosur te drejtësisë.

Bashkimi Evropian dhe  Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë flamurtari i thirjes për reformën në drejtësi, kjo edhe si premtim që qeveria e kryemnistrit Zoran Zaev e premtoi në fillimin e punës së saj qeverisëse. Megjithatë kaluan muaj e vite dhe, reforma në drejtësi është inekzistente,  për vetë faktin se formula e reformës që kërkon të bëjë qeveria është një formulë që jep të njejtin rezultat negative, njejtë si me qeveritë e kaluara. Rrotacioni i gjykatësve dhe prokurorëve nga një gjykatë në tjetrën, nga një prokurori në tjetrën, është thjesht një lëvizje pa efikasitet,  përpjekje e një reforme boshe. Ngase llumi i gjykatësve dhe prokurorëve mbetet po aty, dhe se ata të ri që do futen në sistem, futen pa një kontroll të detajuar të figurës dhe aftësisë.

Kryeministri Zoran Zaev në disa intervista televizive kur është pyetur për reformën në drejtësi, ai me reformën në drejtësi kupton pikërisht këtë null-itet reforme, si psh: ndryshimin e Këshillit gjyqësor, kryetarëve të gjykatave, prokurorive, zgjidhja e disa rasteve të montuara si Monstra, Sopoti, dhuna ne parlament etj. Megjithatë kjo është një demagogji e rradhës, e praktikuar edhe më parë nga qeveri të tjera, sepse edhe vete kryeministri Zaev e kupton se zgjidhja e disa rasteve të montuara nuk është pasoje e ndonjë reforme në drejtësi, por si pasojë e ndryshimit të qeverisë, publikimit të përgjimeve, me cka detyron nga opinioin dhe frika e qeverisë, gjykatësit dhe prokurorët e lëndëve të lartëpërmendura, për arsye të mbrojtes së pozitave të tyre, të veprojnë në përputhje me sensibilizmin e qeverisë në lendë të caktuara.

Reforma në drejtësi nënkupton dicka krejt tjetër, nënkupton gjyqtarë dhe prokurorë të pakorruptuar dhe të aftë ta bëjnë punën e tyre, të cilët nuk kanë dhënë vendime antiligjore, nuk kanë mbuluar kriminelët, nuk kanë dhënë gjykime në favor të parasë apo politikës. Kjo reformë vjen vetëm me një mënyrë shpëtuese, me mekanizmin e vettingut të subjekteve të sistemit të drejtësisë.

Reforma nënkupton pastrimin e llumit të subjekteve të paparshtacëm nga sistemi, që njëherazi edhe popullatës ti kthehet besimi në gjyqësorin dhe organin e akuzës, barazi ligjore për të gjithë, si shpresë për të vazhdur të bëhet  i jetueshëm ky vend kaq i pajetueshëm, i cili boshatiset ditë e për ditë, sepse qytetarët për vec të tjerave nuk ndjehen të sigurtë.

Vettingu parasheh që të gjithë ata që nesër do ti qasen sistemit të drejtësisë, ti nënshtrohen  skanerit  të ndershmërisë së figurës dhe profesionalizmit. Një reformë e këtillë jorastësisht po ndodh në Republikën e Shqipërise me ligjin e miratuar të “vettingut”,  mekanizëm ligjor  i njohur për kontrollin e imtësishëm të figurës së personave publik të cilët kanë në dorë apo kërkojnë tju prinë proceseve publike. Me rezultatet e para të këtij procesi të verifikimit, bindemi se gjatë gjithë këtyre viteve tranzicion në R.Shqipërisë (në rrethana të ngjashme si në R.Maqedonisë), se sa krime kanë bërë një numër i madh i gjykatësve dhe prokurorëve,  pasuri të pajustifikuar e aktgykime skandaloze, si rezultat i shitjes së vendimeve në favor të parasë apo politikës, në proceset penale dhe civile. Për ironi të fatit, kriminalizohen pikërisht ata subjekte që duhet të ndajnë drejtësi. Formojnë komoditet për qeveritë e korruptuara.

Vettingu ne R.Shqipërisë është i mbështetur dhe monitoruar nga ndërkombëtarët drejtëpërdrejt në komisionet e verifikimit. I njejti shembull  mund të aplikohet edhe tek ne, sepse ndërkombëtarët kërkojnë reforma serioze, ndërsa vettingu është reforma më serioze për të shkundur pluhurin e korrupsionit nga gjykatat. Në Republikën e Shqipërisë Vettingu fillimisht filloi në polici, në të gjitha nivelet e saj, me një kontroll nga lartë poshtë, ashtu sic ndodh aktualisht edhe në gjykata e prokurori, prej organeve më të larta, deri në instancat e fundit. Në këtë kuptim, e njejta metodologji duhet të ndiqet me procesin e mundëshëm të vettingut në R.Maqedonisë.

Vettingu është shpresa e vetme për të vendosur në kantarin e drejtësisë të gjithë ata protagonist të padrejtësive, për tju kujtuar se asnjë pushtet nuk është i përhershëm dhe i pakontrolluar, dhe se një ditë do japin llogari për gjithcka të dëshme që i kanë sjellë këtij populli nga dyert e shtëpisë së drejtësisë.

Para disa muajsh zv. Ministri i punëve të brendëshme të R.Maqedonisë, Agim  Nuhiu, në takim me homologun e tij nga R.Shqipërisë, paralajmëroi që edhe në Maqedoni do të fillojë procesi i vettingut, fillimisht në polici pastaj në organet e drejtësisë.  Megjithatë kjo deklaratë e tij u lë në heshtje, u mbulua nga politikat tjera ditore, bashkë me deklarime boshe të reformës në drejtësi që kërkon të bëjë kryeministri Zaev, me “reformën” e rrotacionit te gjykatësve nga një pozicion në tjetrin, zgjidhja  e disa krimieve nga përgjimet apo rasteve të montuara.

Kur e pyeten kryeministrin Zaev në një interviste televizive, se si do ta bëjë këtë reformë në shtëpinë e drejtësisë, me gjykatës të korruptuar dhe paaftë, kryeministri u përgjigj se të korruptuarit dhe të shkelësit e ligjit do ti zëvendësojmë dhe shkarkojmë.

Tani shtrohet pyetja më logjike, kush e ka tagrin ta caktojë se a është një gjykatës apo prokuror i korruptuar e i padrejtë, Kryemininistri, Ministri, Këshilli gjyqësor i vetëkorruptuar,  apo kush?! Cfarë u bë sistemi i drejtësisë, sejcili që të vijë në pushtet të bëjë zevëndesime e shkarkime sipas tekeve të tij, dhe këtë ta quaj reformë në drejtësi, absurde?!

Të korruptuarit verifikohen nga insituticione kompetente që bëjnë vlerësimin se a është apo jo një subjekt i korruptuar, sipas një mekanizmi të qartë kontrollues të detajuar, i cili mekanizëm fillimisht vetë i nënshtrohet këtij kontrolli vettingu. Pastaj  a ka ndonjë vendim gjyqësor për këtë korrupsion, a ka kaluar nëpër një proces verifikimi të pasurisë dhe lëndëve që ka gjykuar  subjekti i drejtesise etj. E më pastaj na lind e drejta të bëjmë zëvendësime dhe shkarkime me arsyen e korrupsionit, për mosjustifikimin e pasurise ose epilogu i aktgjykimeve antiligjore të lëndëve të bujshme.

Prandaj ligji i vettingut është e vetmja shpresë e reformimit të drejtësisë. Lum ajo qeveri që do ta bëjë këtë proces, meritat e të cilës do të ishin tejet të medha dhe gati historike, njësoj sic po bën qeveria ne R.Shqipërisë, proces ky që deri tani është vleresuar tejmase nga ndërkombetaret që mbikqyrin përmbushjen e standarteve për antarsimin në Bashkimin Evropian. Këtë reformë mund ta bëje edhe qeveria e R.Maqedonisë, nëse vërtet do të kuptonte deri diku dobinë e këtij mekanizmi për mbarë shtetin e së drejtës, si një akt historik për drejtësinë.

Vettingu padyshim që është i nevojshëm edhe në polici, me pastrimin e korrupsionit të shefave të lartë dhe deri te polici më i thjeshtë, profesionalizmin dhe shkollimi adekuat, për ti dhënë kësaj godine të mbrojtes fizike, ndjekjes fizike të kryesve të veprave penale, mbajtës se rendit dhe sigurise publike, një bazament të shëndoshë dhe produktiv.

 E si mund të bëhet ndryshe reforma në polici, me rrotacione?! Përsëri me emërime politike të personave të korruptuar dhe paaftë, pa kaluar këta në verifikimin e pasurise, detyrave që kanë pasur dhe aftësive profesionale. Jo, kjo nuk bëhet pa vetting, pa vetting reforma në polici është thjesht një gënjeshtër e rradhës e një qeverie të rradhës, thjesht sepse është e pamundur për në rrethanat e shteteve tona ballkanike.

Sa për sqarim në pikat kryesore, ligji i vettingut që është në fuqi në R.Shqipërisë, i cili ligj shpresojmë të aplikohet edhe tek ne, ka për qëllim rivlerësimin e figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve, mbi bazën e tre kritereve: a) vlerësimi i pasurisë; b) kontrolli i figurës; dhe c) vlerësimi i aftësive profesionale.

Objekti i vlerësimit të pasurisë është deklarimi dhe kontrolli i pasurive, i ligjshmërisë së burimit të krijimit të tyre, i përmbushjes së detyrimeve financiare, përfshirë interesat privatë për gjyqtarin dhe prokurorin, për personat e lidhur të tij. Gjyqtaret dhe prokuroret dhe personat e lidhur me ta, së bashku me deklaratën e pasurisë, paraqesin të gjitha dokumentet që justifikojnë vërtetësinë e deklarimeve për ligjshmërinë e burimit të krijimit të pasurive.

Objekti i kontrollit të figurës është verifikimi i deklarimeve të gjyqtareve dhe prokuroreve, me qëllim identifikimin e atyre subjekteve që kanë kontakte të papërshtatshme me personat e përfshirë në krimin e organizuar, sipas parimeve dhe kushteve të parashikuara të Kushtetutës.

Objekti i vlerësimit të aftësive profesionale është vlerësimi i veprimtarisë etike dhe profesionale të subjekteve të rivlerësimit në përputhje me këtë ligj dhe me legjislacionin që rregullon statusin e gjyqtarëve ose prokurorëve.

Ёshtë interesant të përmendim faktit  se si gjatë procesit te vettingut ne R.Shqipërisë,  gjyqtarët dhe prokurorët të shkarkuar nga detyra, janë munduar të justifikojnë pasurinë e tyre, kryesisht me 9 teknika, për të treguar se deri ku shkon maskimi i tyre në shtëpinë e drejtësisë, por që fatmirsisht nuk kanë mundur të manipulojnë komisionet  e specializuara të vettingut, edhe atë me teknikën:

 1. Kreditë bankare, me afat deri në 35 vjet, janë forma më masive e përdorur nga gjyqtarët dhe prokurorët për të justifikuar blerjen e pasurive të paluajtshme, në vite të ndryshme kalendarike;

2. Huaja pa interes. Disa gjyqtarë dhe prokurorë, si burim për justifikimin e transaksioneve apo investimin në pasuri të paluajtshme, deklarojnë edhe hua në shuma të konsiderueshme, pa interes;

3. Paratë dhuratë. Dhuratat nga të afërmit janë një tjetër formë e përdorur masivisht nga gjyqtarët dhe prokurorët, për të justifikuar blerjen e pasurive të paluajtshme apo shlyerjen para afatit të kredive bankare;

 4. Trashëgimia. Shtëpitë, paratë dhe pronat të lëna trashëgim nga prindërit, zënë një pjesë të rëndësishme të pasurisë së prokurorëve dhe gjyqtarëve.

5. Bashkëshortet dhe bashkëjetueset. Burimi i pasurive të disa gjyqtarëve dhe prokurorëve janë bashkëshortet;

6. Shet shtrenjtë dhe blen lireBlerja e pasurive me çmim të lirë dhe shitja me çmim më të shtrenjtë, në një hark të shkurtër kohor, është një tjetër praktikë e përdorur nga gjyqtarët dhe prokurorët;

 7. Qiratë nga lokalet, zyrat dhe pronat. Qiratë e lokaleve, zyrave dhe ambienteve të ndryshme, zënë një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave vjetore të gjyqtarëve dhe prokurorëve;

 8. Bizneset e çuditshme. Disa gjyqtarë dhe prokurorë deklarojnë të ardhura nga biznese të çuditshme;

9. Kursimet nga pagaDisa prokurorë dhe gjyqtarë deklarojnë blerjen e apartamenteve me kursime nga paga.

Një rrjetë kontrolli në të cilën kapen të gjithë ata që janë të papërshtacëm për tu futur apo vazhdur në sistemin e drejtësisë,  për të nxjerë në krye pjesën më të mirë të prokurorëve dhe gjyqtarëve, ata që kanë qenë dhe do të jenë korekt me ligjin dhe moralin, pavarësisht joshjes së parasë dhe pozicionit brenda hierkarkisë së sistemit që ju është kanosur apo ofruar, është padyshim mekanizmi i vettingut.

 Për subjektet e drejtësisë qs kalojnë vettingun parashikohen benificione të ndryshme dhe ngritje të pagave, për betonizimin e qëndrushmsrisë së tyre karshi ligjit.

Shembull tjetër, Kryeministri i R.Shqipërisë deklaroi se procesi i vettingut do të vazhdojë edhe me politikanët, kabinetin qeveritar, deputetët, udhëheqësit e komunave, drejtorëve,  drejtuesit e partieve politike, biznesmenëve, avokatët si seksere të mundëshëm mes palëve në procese gjyqësore,  dhe të gjithë kandidatëve të cilët do të garojnë për një post partiak apo publik. Në rrjetën e vettingut, a do të mund të arsyetojnë pasurinë në raport me të ardhurat ligjore, pastërtinë morale dhe përgaditjen profesionale, dhe nëse jo, të hapin rrugë dhe largohen nga aty ku nuk e meritojnë të qëndrojnë apo kandidojnë.

Vettingu është tejet i nevojshëm në R.Maqedonisë. Të clirohemi njëherë e mirë nga këta uzurpatorë të së mirës publike, që bëjnë gjithcka në emër të drejtësisë, por vetëm drejtësi nuk bëjnë. Ata të cilët marin përgjegjësi publike për fatin e popullatës, dhe e shëndrojnë atë përgjegjësi në interes vetanak, te tillët duhet të shkarkohen nga detyra.

Forcat politike apozitare apo në qeveri, pavarësisht përkatesive nacionale ose bindjeve fetare, le ta kërkojnë sa më parë  këtë proces vettingu të refomrimit të sistemit të drejtësisë, si e vetmja mundësi reale e reformimit dhe përpshejtimit të anëtarsimit  në Bashkimin Evropian.

Të përpiqet kush e kush më parë ta promovoje këtë mekanizëm që padyshim do ti shtonte edhe fuqine politike sejcilës parti protagonist e kësaj nismeje aq të domosdoshme për popullatën dhe institucionet  e R.Maqedonisë. Dashtë Zoti të ndodhë dicka e këtillë dobiprurëse, sa me shpejt të jetë e mundur!

Komentet

komentet

Loading...