(VIDEO) ANTIKORRUPSIONI: 9 FUNKSIONARË KANË NDIKUAR NË PUNËSIMIN E FAMILJARËVE

Komisioni për parandalimin e korrupsionit ka ngritur procedurë kundërvajtëse ndaj ministrit të ekonomisë Kreshnik Bekteshi, për shkak të ndikimit në punësimin e motrës së tij. Antikorrupsioni tha se ky konkurs pune për referent në ELEM ka qenë vend punë për të cilin kanë konkurruar mbi 70 persona, ndërsa pa asnjë shpjegim mbi atë se si janë filtruar kandidatët, lista e konkurrentëve ka ardhur në vetëm pesë persona, dhe më pas është punësuar edhe motra e ministrit të ekonomisë Kreshnik Bekteshi. Por në asnjë moment nuk ka prova se si është punësuar, me çfarë merita.

Vlladimir Georgiev, anëtar i Antikorrupsionit

“Të ngritet procedurë kundërvajtëse kundër ministrit të ekonomisë pasi që gjatë periudhës së punësimit të motrës së tij në tetor të vitit të kaluar, duket qartë se ajo jeton në adresë të njëjtë me të. Kjo duket nga dokumentet që vetë i ka dorëzuar në konkursin e punës. Poashtu, personi zyrtar është i obliguar që ta njoftojë Komisionin për parandalimin e korrupsionit gjatë punësimit të familjari të afërt në sektorin publik”

Komisioni për luftimin e korrupsionit njoftoi se përveç rastit të Bekteshit, ka konstatuar nepotizëm edhe në 8 raste të tjera, nga gjithësej 18 që i denoncuan mediat dhe partitë politike. Më së shumti ka punësuar ELEM-i.

Biljana Ivanovska, kryetare e Antikorrupsionit

“Po të shikojmë në mënyrë statistikore, janë punësuar 11 persona të afërt të shtatë deputetëve, dy persona të afërt të dy ministrave dhe tre të afërm të tre kryetarë komunash. Numri më i madh i punësimeve janë në ELEM, gjithësej shtatë. Antikorrupsioni do të dorëzojë propozim deri tek ministritë kompetente për të bërë analizë të ligjeve që e rregullojnë punësimin në sektorin publik, me qëllim që të konstatohen rreziqet nga keqpërdorimi dhe ndikimi i autorizimeve diskrecionale gjatë punësimit, për çka do ta njoftojë edhe Qeverinë dhe Parlamentin”

Për punësimin e familjarëve të deputetes Mira Stojçevska, u konstatua se gjithçka ka qenë në rregull, përveç rastit të punësimit të djalit në ELEM. Antikorrupsioni ka konstatuar se në konkursin e punës është shkruar nevoja për një vend pune, që është shpikur për Stojçevskin, vetëm që ta punësojnë.

Kryetarja e Antikorrupsionit shpjegoi se institucionet kanë bërë manipulime duke krijuar vende të reja të punës para konkurseve, dhe duke bërë keqpërdorime të tjera të ndryshme gjatë procesit të evaluimit, duke favorizuar persona të caktuar, të afërt me funksionarët.

Por bëhet edhe manipulim me kriteret që krijohen apostafat për përgatitjen që e ka familjari i funksionarit.

Por, Antikorrupsioni ndaloi procedurën dhe konstatoi se nuk ka nepotizëm në punësimin e vajzës së Talat Xhaferit në ELEM, me arsyetimin se ajo i ka plotësuar të gjitha kushtet, dhe ka qenë më e kualifikuara në konkurs. E hodhi poshtë edhe dyshimin për punësimin me ndikim të vajzës së deputetes Emilija Aleksandrova. U mbyllën edhe rastet e punësimit të bashkëshortes së kryetarit të komunës së Berovës, vëllait të deputetes Mira Stojçevska, djalit të deputetit Goran Misovski, bashkëshortit të deputetes Mira Stojçevska, dhe bashkëshortes së Toni Tellkovskit.

Në seancën e sotme Antikorrupsioni nisi hetim edhe për praninë e një të punësuari në Ministrinë e Financave në shtabin e kandidatit për president Stevo Pendarovski. Antikorrupsioni do ti kërkojë Ministrisë detaje nëse ky administratorë ka qenë atë ditë kur është fotografuar në shtab, në orar të punës, dhe nëse veprimet e tij bien ndesh me detyrimet dhe të drejtat e tij si administrator publik.