Vjedhja e identitetit çon në arrestim gabimisht shtetasin e pafajshëm

Alsat-M mëson ekskluzivisht nga burime të sigurta se personi i arrestuar në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës për veprat penale “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Rrëmbim personi” nuk ka të bëjë me personin e vënë në ndjekje nga Interpol Roma.

ALSAT mëson se një tjetër person ka poseduar emrin e tij. Interpol Roma, pas komunikimit me autoritetet policore në Shqipëri, ka konfirmuar se as fotografia dhe as shenjat e gishtave nuk përputhen me personin që kërkonte Interpoli.

Autoritetet policore konfirmuan për ALSAT se bëhet fjalë për vjedhje klasike identiteti nga një person tjetër, që si duket ka përdorur edhe emrin Xheladin Quelia (15.04.1974).

Personat, përvec pamjes dhe shenjave të gishtave mbajnë edhe data lindjesh të ndryshme. Në fotografinë ekskluzive qëndron personi i kërkuar nga Interpoli, ndaj të cilit rëndojnë veprat “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Rrëmbim personi”. Ndërsa personi i arrestuar gabimisht, vetëm për shkak të emrit të ngjashëm, është nga Dobroshti.

ALSAT mëson gjithashtu se pas kompletimit të dokumentacionit dhe konfirmimit të marrë sot nga Interpol Roma, i ndaluari gabimisht Musli Haliti do të lirohet gjatë ditës së nesërme nga Komisariati i Korcës ku gjendet aktualisht.


Një shqiptar nga Maqedoni, i shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar në pikën e kalimit kufitar të Qafë-Thanës.

Policia njofton se Musli Haliti, 44 vjeç, banues në fshatin Dobroshtë të Tetovës, është në kërkim nga Interpol Roma, për veprat penale “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Rrëmbim personi”.

“Arrestimi i tij u bë në hyrje të Pikës së Kalimit Kufitar Qafë-Thanë, sepse gjatë verifikimit të dokumentacionit në sistem, shtetasi i mësipërm rezultoi i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Monzës në Itali, me vendim penal nr 316/2001 E.S datë 04.06.2001, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për kryerjen e veprave penale “Shfrytëzim Prostitucioni” dhe “Rrëmbim personi” parashikuar nga Kodi Penal Italian”, sqaron policia.

Për veprime të mëtejshme, u njoftua zyra e Interpol Tirana me qëllim ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.