VV-ja druan se PSD-ja synon të legjitimojë Thaçin në krye të dialogut

Lëvizja Vetëvendosje, pavarësisht tentimeve të Partisë Socialdemokrate për debat në Kuvend për dialogun dhe kundërshtimeve të tyre që presidenti Hashim Thaçi të jetë në krye të dialogut, mendon se këta të fundit kanë tendencë legjitimimin e tij.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, tha për Koha.net se e mbështesin kërkesën e PSD-së për debat, por vazhdojnë mos t’i kenë të qarta qëndrimet e tyre.

PSD-ja s’arrin të bindë LDK-në e VV-në për seancë të jashtëzakonshme për dialogun, të hënën ka vetëm debat

“Sot ne mbështetëm kërkesën për debat lidhur me negociatat mirëpo Kadri Veseli, nuk procedoi me votim të mocionit pra bëri shkelje të Rregullores se Punës”, tha Haxhiu.

Deputetja e VV-së, gjithashtu tregoi pse nuk i kanë dhënë nënshkrimet që kërkonte PSD-ja për një seancë të jashtëzakonshme, që siç thonin ata, kanë për qëllim ta ndalojnë Hashim Thaçin të jetë kryenegociator.

Ajo gjithashtu tha se nuk po e shohin që PSD-ja po kundërshton Hashim Thaçin, madje, shpresojnë të mos kenë tendencë legjitimimin e tij.

“Jo ne nuk i kemi dhënë nënshkrimet për arsyet e thëna ditë më parë dhe debati me sa jemi të informuar është thirrur me 6 nënshkrime. Ne do të marrim pjesë në seancë dhe do t’i parashtrojmë propozimet tona në raport me dialogun . Ne jemi munduar të kuptojmë qëndrimin e PSD lidhur me negociatat por deri tani nuk kemi dëgjuar se cilat janë kërkesat e tyre në raport me dialogun, ata as në deklarimet e tyre publike, nuk kanë njoftuar se çfarë duhet të përmbajë platforma dhe s’kemi dëgjuar të kenë përmendur vija të kuqe dhe as nuk i kemi dëgjuar t’a kenë kundërshtuar Thaçin kategorikisht andaj shpresoj të mos e kenë tendencë legjitimimin e tij”, ka thënë Haxhiu për Koha.net.

Loading...