Zgjedhjet, rrjedhin afatet për qeveri teknike

Në rast se shumica parlamentare vendos të pranojë kërkesat e opozitës për zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe qeveri teknike deri në 100 ditë, qeveria është e detyruar që nga e hëna të marrë formatin e modelit të Përzhinos. Referuar Kodit Zgjedhor, i cili zgjedhjet e parakohshme i parashikon 55 ditë pas shpërbërjes së Kuvendit, rezulton që zgjedhjet e parakohshme të shpallen më 24 shkurt, në rast se synohet që ato të mbahen më 21 prill,  me raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale.

Në rast se opozita këmbëngul për qeveri teknike prej 100 ditësh, atëherë afatet zhvendosen për dy javë. Respektivisht, që opozita të gëzojë ekzekutiv teknik prej 100 ditëve, zgjedhjet do të duhej të caktoheshin për më 5 maj, datë që korrespondon me raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Në këtë rast se Kuvendi do të shpërbëhej më së voni më 24 mars, por që përsëri opozita nuk do të gëzonte 100 ditë të plota qeveri teknike, por rreth 95 ditë. Fushata zgjedhore referuar Kodit Zgjedhor do të fillonte më 13 prill.

Në rast se shumica parlamentare është kundër zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, opozita nuk mohon mundësinë e bojkotimit të zgjedhjeve presidenciale. Edhe pse një gjë e tillë ishte deklaruar nga eksponent të VMRO-DPMNE-së, i pari i këtij subjekti Hristijan Mickoski kishte demantuar qëndrimet e tilla duke garantuar se opozita do të shkoj në zgjedhje presidenciale edhe pa zgjedhje të parakohshme parlamentare. Kuvendi pritet që më 8 shkurt t’i shpall zgjedhjet presidenciale të cilat referuar Kushtetutës, duhet mbajtur më 21 prill ndërsa raundi i dytë më 5 maj.

Që procesi zgjedhorë të njihet si legjitim, Kushtetuta përcakton cenuesin prej 40 për qind nga numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar në listën zgjedhore. Në rast se në raundin e parë nuk arrihet cenuesi, Kushtetuta përcakton përsëritjen e procedurës zgjedhore. E njëjta vlen edhe për raundin e dytë.

Kushtetuta, neni 81, paragrafi 6
“Në qoftë se edhe në rrethin e dytë të votimit asnjëri nga kandidatët nuk e ka fituar shumicën e nevojshme të votave, përsëritet e tërë procedura zgjedhore”.

Jo zyrtarisht shumica shqyrton mundësinë e zgjedhjes së Presidentit në Kuvend, gjë që kërkon hapjen e Kushtetutës, madje në rrethana jo zyrtare flitet që edhe opozita maqedonase mbështet një ide të tillë. Megjithatë, burimet flasin për një tentativë të tillë pas raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale dhe mbi gjitha pas mos arritjes së mundshme të cenuesit prej 40 përqind. Hapja e Kushtetutës do të merrte të paktën 3 muaj kohë që në situatë të tillë dhe referuar Kushtetutës, funksionin e kryetarit të shtetit deri shtator të 2019 do ta gëzonte kryetari i Kuvendit.

Adrian Kerimi