Zyrih, një i vdekur dhe mbi 40 të plagosur në një aksident me autobus

Një grua ka mbetur e vdekur dhe 44 të tjerë janë plagosur sot në mëngjes kur autobusi i tyre u përplas me një mur për shkak të akullit në autostradën pranë Zyrihut, njoftoi policia.

“Tre persona janë në gjendje të rëndë dhe të paktën një prej tyre është në kushte kritike”, deklaroi zëdhënësja e policisë, Rebecca Tilen.

Autobusi ishte nisur nga qyteti italian i Gjenovës në drejtim të Dyseldorfit në Gjermani.

“Në çastin e aksidentit, autostrada ishte e mbuluar me dëborë dhe akull dhe po binte dëborë”, tha Tilen, duke shtuar se hetuesit janë duke punuar që të përcaktojnë arsyet e sakta të këtij aksidenti.

Zëdhënësja nuk dha asnjë informacion mbi identitetin e viktimave, përveç faktin se nuk kishte fëmijë në autobus.